Irani: SHBA nuk mund të diktojnë politikat për vendet e rajonit
Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se SHBA nuk ka më ndonjë ndikim mbi marrëdhëniet midis vendeve në rajon, duke theksuar se Uashingtoni nuk do të jetë më në gjendje të diktojë politikat e tij ndaj shteteve të rajonit të LM.
"Fqinjët tanë ... i kanë thënë në mënyrë eksplicite SHBA-ve se epoka e diktimit të politikave ndaj të tjerëve ka mbaruar dhe SHBA nuk mund të vendosë për rajonin dhe marrëdhëniet midis vendeve rajonale nga mijëra kilometra larg", u tha Ruhani gazetarëve të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar të Mehrabadit para se të nisej për në Ankara për një vizitë zyrtare dy ditore me ftesë të homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan. Ruhani tha se çështjet e interesit të ndërsjelltë, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare do të ishin në axhendën e bisedimeve midis dy palëve gjatë vizitës së tij në Turqi. Ai tha se përpjekjet për të rritur tregtinë vjetore bilaterale nga 10 miliardë dollarë në 30 miliardë dollarë do të ishin në mesin e axhendës së takimit të tij me presidentin turk. Ndër çështjet e tjera që do të diskutohen gjatë vizitës në Ankara do të jenë siguria rajonale dhe lufta kundër terrorizmit, tha presidenti iranian. Duke folur për krizën e Sirisë, Ruhani theksoi rëndësinë e një takimi të fundit midis ministrave të jashtëm të Iranit, Turqisë dhe Rusisë në Gjenevë ku u arritën rezultate të rëndësishme për zgjidhjen politike të krizës siriane.