Popujt e rajonit presin largimin e SHBA
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit tha se kombet e rajonit po presin për tërheqjen e plotë të trupave amerikane, prania e të cilave nuk solli asgjë, veç luftë dhe pasiguri.
Admiral Ali Shamkhani, në një takim me presidentin afgan, Ashraf Ghani, përshkroi përforcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të gjithanshme me vendet fqinjë si parime të përhershme dhe të pandryshueshme të Republikës Islamike të Iranit dhe shtoi: "Lidhjet e thella fetare, kulturore dhe historike midis dy kombeve kanë krijuar kapacitete të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve të bazuara në interesat e përbashkëta të të dy vendeve". Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit theksoi nevojën për të përshpejtuar përfundimin e Dokumentit Gjithëpërfshirës për Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe tha se siguria dhe progresi i Afganistanit janë siguria dhe progresi i Iranit. Duke theksuar nevojën për përpjekjet e vazhdueshme të të dy vendeve për të garantuar siguri të plotë në kufijtë e përbashkët për t'u përballur me lëvizjet djallëzore, trafikantët e drogës dhe grupet terroriste, Admiral Shamkhani shtoi: "Armiqtë e sigurisë dhe qetësisë së rajonit në një përpjekje të organizuar po kërkojnë të trazojnë kufijtë e përbashkët me qëllim të transferimit të terroristëve të mposhtur të ISIS-it në Afganistan dhe të mbështesin zgjerimin e terrorizmit takfirist në këtë vend që edhe njëherë të ndezin flakët e luftës dhe gjakderdhjes dhe pasigurisë në rajon. Presidenti afgan Muhamed Ashraf Ghani vlerësoi përpjekjet njëzetvjeçare të Admiral Shamkhanit për të krijuar konvergjencë midis vendeve të rajonit, dhe i përcolli përshëndetjet e tij të përzemërta Liderit Suprem dhe Presidentit të Iranit. Ai theksoi nevojën për të krijuar mekanizma të përbashkët dhe aktivë ndërmjet agjencive të inteligjencës dhe sigurisë të dy vendeve për të rritur efikasitetin e tyre në fushën e luftimit të terrorizmit, krimit të organizuar dhe luftës kundër trafikut të drogës.