Mospjesëmarrja e Mogherinit në konferencën e Varshavës, tjetër disfatë e SHBA
SHBA planifikon të organizojë një samit anti-iranian muajin e ardhshëm në Poloni.
Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo tha se samiti 'do të përqendrohet në stabilitetin dhe paqen në Lindjen e Mesme'. Udhëheqësit e disa vendeve arabe pritet të marrin pjesë dhe Pompeo personalisht ftoi kryeministrin izraelit Netanjahu në samit. Por Shefja e diplomacisë evropiane deklaroi se nuk do të shkojë në konferencën e Polonisë. Gazeta "Financial Times" njoftoi se Federika Mogherini, shefja e diplomacisë evropiane, të hënën gjatë punimeve të takimit të ministrave të punëve të jashtme të BE në Bruksel, deklaroi se në vend të pjesëmarrjes në konferencën e Varshavës të Polonisë, do të marrë pjesë në takimin e Unionit Afrikan në Adis Ababa, kryeqytetin e Etiopisë. Pavarësisht se Amerika ka njoftuar për pjesëmarrjen e ministrave të punëve të jashtme të dhjetëra vendeve në konferencën e Varshavës, shumë vende gjatë ditëve të kaluara kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë konferencë. Ndërkohë shumë vende të tjera kanë deklaruar se do të marrin pjesë me përfaqësues të nivelit më të ulët se ministri i punëve të jashtme në konferencën e Varshavës. Edhe Gjermania dhe Britania nuk kanë deklaruar gatishmërinë për pjesëmarrje në këtë konferencë. Analistët thonë se mbajtja e një takimi të tillë në një vend të Evropës Lindore synon gjithashtu të shfrytëzojë përçarjen midis vendeve të BE mbi politikën e jashtme dhe të dobësojë më tej bllokun. Është e qartë se mospjesëmarrja e Mogherinit në konferencën e Varshavës tregon se ajo e sheh këtë konferencë në përputhje me qasjen anti-iraniane të Uashingtonit dhe Tel Avivit. Politika amerikane në Lindjen e Mesme ka qenë krejtësisht e pasuksesshme dhe konferenca anti-iraniane e Varshavës nuk do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve dhe politikave amerikane në Lindjen e Mesme dhe do të përfundojë pa rezultat. Tashmë është e qartë për këdo se mbështetja amerikane për terroristët, veçanërisht për grupin terrorist ISIS, ishte pjesë e politikës së qeverisë së SHBA për krijimin e kaosit në Lindjen e Mesme. Disa udhëheqës diktatorë të Lindjes së Mesme ndjekin Shtetet e Bashkuara vetëm për të ruajtur fronin e tyre dhe e shohin sigurinë e tyre në rrezik, pa mbështetjen e Uashingtonit. Qëllimi kryesor i konferencës së Varshavës është të avancojë planin e Iranofobisë të iniciuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Iranofobia të jetë pjesa kryesore e politikës së Shtëpisë së Bardhë në Lindjen e Mesme. Pavarësisht akuzave të pabaza të Uashingtonit që kanë synuar të minojnë rolin dhe ndikimin rajonal të Iranit, tani edhe aleatët europianë të Uashingtonit dhe Bashkimi Europian e njohin dhe e pranojnë rëndësinë e rolit të Iranit në stabilitetin e Lindjes së Mesme. Në të njëjtën kohë, bota është shumë e vetëdijshme për qasjen subversive amerikane ndaj Iranit, e cila rrjedh nga armiqësia e Uashingtonit për shkak të rezistencës së Teheranit ndaj politikave destruktive dhe ndërhyrëse të Uashingtonit ndaj Iranit dhe rajonit.