Irani paralajmëron Evropën
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i85276-irani_paralajmëron_evropën
Me afrimin e ditëve për vënien në funksion të mekanizmit të transaksioneve monetare të Evropës me Iranin, Teherani ka paralajmëruar Brukselin mbi pasojat e moszbatimit të zotimeve nga pala evropiane.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Janar 31, 2019 05:22 Europe/Tirane
  • Irani paralajmëron Evropën

Me afrimin e ditëve për vënien në funksion të mekanizmit të transaksioneve monetare të Evropës me Iranin, Teherani ka paralajmëruar Brukselin mbi pasojat e moszbatimit të zotimeve nga pala evropiane.

Behram Kasemi, zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit në një intervistë për kanalin Rusia Today, deklaroi: Nëse vendet evropiane nuk zbatojnë angazhimet e tyre në kuadër të marrëveshjes bërthamore, Irani do të rishikojë qëndrimet e tij në zbatimin e marrëveshjes në fjalë. Deri më sot Evropa ka dhënë premtime të ndryshme për zbatimin e zotimeve të saj në marrëveshjes bërthamore, mirëpo deri më tani nuk është vënë re gjë tjetër veçse vonesa nga ana e saj. Në premtimin më të fundit të shprehur nga shefja e politikës së jashtme të BE ditën e mërkurë, është përpjekja e Evropës për të hapur kanalin e veçantë monetar dhe tregtar me Iranin, i cili është në fazën e përfundimit. Rreth 9 muaj pas daljes së Amerikës nga marrëveshja bërthamore, Evropa vazhdon të analizojë rrugët për mekanizma që do të garantojnë interesat ekonomike të Iranit të dala nga marrëveshja bërthamore. Më 8 maj në kohën e shpalljes së vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e Amerikës nga marrëveshja bërthamore, Evropianët u shprehën për ruajtjen e këtij sukses historike në diplomacinë botërore dhe nga Irani kërkuan që të qëndrojë dhe të mos tërhiqet nga marrëveshja bërthamore. Kjo kërkesë u kushtëzua me projektimin e një mekanizmi nga pala evropiane me anë të të cilit Irani do të ketë mundësi të neutralizojë dhe t’i bëjë jo efikase sanksionet e Amerikës. Në këto kushte Irani me vullnet të mirë u dha një mundësi evropianëve që të ngrenë një mekanizëm për bashkëpunime me Iranin duke anashkaluar sanksionet amerikane. Interesat ekonomike të dala nga marrëveshja bërthamore, janë një prej të drejtave legjitime të Iranit. Marrëveshja bërthamore u nënshkrua me kushtin e heqjes së sanksioneve kundër Iranit dhe lehtësimin e bashkëpunimeve ekonomike. Mirëpo nëse sot ky proces përballet me probleme për shkak të neglizhencës së palës evropiane, Irani ka të drejtë të ndryshojë gjendjen ekzistuese. Irani në rrugën e zbatimit të mekanizmit që garanton bashkëpunimet ekonomike të huaja me Iranin, ka treguar më shumë seç duhet vullnet të mirë dhe tani është radha që evropianët të bëjnë pjesën e tyre. tërheqja e Amerikës nga marrëveshja bërthamore dhe mungesa e perspektivës së qartë mbi zbatimin e zotimeve nga pala evropiane për garantimin e bashkëpunimeve ekonomike me Iranin, tregon se mbështetja tek kapacitetet vendase është e vetmja rrugë e sigurt që Irani të tejkalojë sfidat ekzistuese. Sa i përket kësaj Qemal Kharazi, kreu i këshillit strategjik të marrëdhënieve me jashtë të Iranit ditën e martë ka thënë se vonesat e përsëritshme të Bashkimit Evropian për vendosjen në zbatim të mekanizmit financiar të veçantë për bashkëpunim me Iranit (SPV) me pretekst të paaftësisë për të ushtruar ndikim mbi kompanitë evropiane, janë të papranueshme. Qemal Kharazi ndër të tjera shtoi: "Nëse qeveritë evropiane e dinin se nuk mund të ushtronin ndikim mbi kompanitë e tyre, atëherë pse janë futur në negociata me Iranin?" Kryetari i këshillit strategjik të marrëdhënieve të jashtme të Iranit theksoi: "Presidenti amerikan Donald Trump po synon dobësimin dhe shpërbërjen e Bashkimit Evropian dhe iniciativa e Amerikës për organizimin e konferencës anti-iraniane në Poloni, është vetëm përpjekje për të shtuar mosmarrëveshjet mes shteteve evropiane". Duke thënë se Irani ka vërtetuar sinqeritetin e vet në zbatimin e marrëveshjes bërthamore, Qemal Kharazi tha: "Vështrimi i opinionit publik të Iranit ndaj qasjes së Evropës rreth marrëveshjes bërthamore është bërë më shumë negativ dhe sot interesat e Evropës detyrojnë që të merren hapa serioz dhe praktikë ndaj marrëveshjes bërthamore. Dorëzimi i Evropës përball presioneve të Amerikës në këtë periudhë kohore do të bëhet shkak që Amerika në të ardhmen të ushtrojë më shumë presione mbi Evropën, ndërsa dështimi i marrëveshjes bërthamore do të ndikojë edhe mbi sigurinë e Evropës".