Ruhani: Terroristët nuk duhet të ndihen të sigurt askund në botë
Presidenti iranian Hasan Ruhani deklaroi se terroristët nuk duhet të ndihen të sigurt në Siri apo në ndonjë pjesë tjetër të botës, duke paralajmëruar përkrahësit e tyre të mos luajnë me kartën e terrorizmit për të arritur qëllimet e tyre.
"Terroristët nuk duhet të ndihen të sigurt në Siri apo në ndonjë pjesë tjetër të botës dhe mbështetësit e tyre nuk duhet të mendojnë se ata mund të luajnë me kartën e terrorizmit në dobi të tyre në ekuacionet e brendshme, rajonale apo ndërkombëtare", tha presidenti iranian. Ruhani i bëri këto deklarata të enjten në një takim trepalësh, në të cilin morën pjesë gjithashtu Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, në qytetin rus të Soçit. Për fat të keq, administrata amerikane po i mbështet ende terroristët në Irak dhe Siri dhe i përdor ata për të arritur interesat e veta, ndërsa vazhdon "aktivitetet e paligjshme" në territorin sirian, shtoi Ruhani. Rouhani tha se SHBA ka krijuar një prani ushtarake në Siri pa marrë asnjë leje nga Damasku, duke shkelur të gjitha rregullat ndërkombëtare, si dhe integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të një vendi të pavarur, i cili është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, presidenti iranian theksoi se bashkësia ndërkombëtare gjithashtu duhet të përballet me veprimet arbitrare të regjimit izraelit kundër Sirisë. Ky regjim gjithashtu po siguron ndihmë për disa grupe terroriste në Siri, tha ai, duke shtuar se vetë zyrtarët izraelitë kishin pohuar kohët e fundit "veprime e tyre të urryera". Presidenti iranian tha se zhvendosja e terroristëve të ISIS nga Siria në Afganistan nga ana e SHBA "mund të përbëjë kërcënim për të gjithë rajonin e Azisë Qendrore dhe pjesë të tjera të botës", duke shtuar: "Askush nuk duhet të pretendojë të luftojë terrorizmin, por t'i ndihmojë ata prapa skenave".