Lideri Suprem në takim me Asad: Irani krenar që ka përkrahur Sirinë
Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei deklaroi se Republika Islamike është e nderuar dhe krenare që mbështet Sirinë dhe e konsideron këtë të njëjtë me mbështetjen e të gjithë frontit të rezistencës.
Ajetollah Khamenei e bëri këtë deklaratë të hënën në një takim në Teheran me Presidentin sirian Bashar Asad. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vlerësoi rezistencën e presidentit dhe popullit sirian si arsyeja kryesore e humbjes së Shteteve të Bashkuara dhe mercenarëve të saj rajonalë, duke vënë në dukje: "Republika Islamike e Iranit e konsideron mbështetjen e qeverisë siriane dhe të popullit sirian si ndihmë ndaj lëvizjes së rezistencës dhe ndihet krenare nga thellësia e zemrës së saj". Ajetollah Khamenei theksoi se triumfi i frontit të rezistencës në Siri i ka zemëruar amerikanët dhe i ka nxitur ata të thurin komplote të reja. Ai shtoi: "Çështja e zonës së sigurt, të cilën amerikanët kërkojnë të krijojnë në Siri, është ndër ato komplote të rrezikshme, të cilat duhet të refuzohen dhe të kundërshtohen kategorikisht ". Lideri Suprem i Revolucionit Islamik deklaroi se plani i amerikanëve për të mbajtur një prani të efektshme përgjatë kufirit Irak-Siri ishte një komplot tjetër nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë: "Irani dhe Siria janë thellësia strategjike e njëri-tjetrit dhe identiteti dhe fuqia e rezistencës varet nga vazhdimësia e kësaj marrëdhënie strategjike. Kjo do të parandalojë që armiqtë të realizojnë planet e tyre destruktive". Duke iu referuar mbështetjes së Iranit për kombin dhe qeverinë siriane që nga fillimi i krizës së vendit, Ajetollah Khamenei tha: "Përmes rezistencës dhe bashkëpunimit të popullit të saj, Siria arriti të qëndrojë kundër një koalicioni të madh të përbërë nga Amerika, Evropa dhe aleatët e tyre në rajon dhe të dalë triumfuese nga kjo krizë". Ai gjithashtu vuri në dukje një gabim të armiqve në rastin e Sirisë, duke thënë: "Gabimi i armiqve ishte se ata e krahasuan Sirinë me disa vende të tjera arabe. Ndërsa në ato vende, lëvizja e popujve ishte në përputhje me rezistencën dhe ishte, në fakt, kryengritje kundër Amerikës dhe vasalëve të saj. "