Evropianët e krijuan ISIS-in, Irani ndaloi përhapjen e tij
Irani thekson se ISIS do të kishte pushtuar Evropën nëse nuk do të kishte qenë lufta e Republikës Islamike të Iranit kundër grupeve terroriste që vendet perëndimore i mbollën dikur në Lindjen e Mesme për të realizuar axhendën e tyre.
"Qeveritë dhe shërbimet e inteligjencës evropiane e dinë shumë mirë se Evropa u detyrohet sot përpjekjeve të Iranit për sigurinë e saj ", tha të dielën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Behram Kasemi. "Ne pamë se çfarë bënë grupet terroriste dhe takfiriste në rrugët e Parisit dhe në kryeqytete të tjera evropiane dhe si shkaktuan pasiguri dhe dhunë", tha ai. Kasemi tha se ISIS dhe grupe të tjera terroriste po i afroheshin fundit të tyre falë luftës së Iranit. "Irani ka qenë serioz në luftën kundër terrorizmit, aq sa sot shohim se terroristët janë zhdukur nga shumica e territoreve në Siri dhe Irak", tha ai. Kasemi tha se përhapja e ISIS dhe e grupeve të tjera në Evropë në pjesën më të madhe ishte pasojë e veprimeve të qeverive evropiane. "Terroristët u ushqyen, u trajnuan dhe u armatosën në këtë rajon nga disa shtete dhe më pas shkaktuan terror dhe panik në Evropë duke përdorur fondet me të cilat ishin furnizuar". Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit kritikoi politikën e dyfishtë të Evropës në trajtimin e grupeve terroriste. "Përdorimi instrumental i terroristëve nga evropianët nuk është asgjë e re dhe ata i ndajnë terroristët në të mirë dhe të këqij", tha Kasemi.