Rëndësia e vizitës së kryeministrit të Pakistanit në Teheran
Vizita e kryeministrit pakistanez në Iran është me rëndësi të madhe për të dy vendet si dhe në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Sigurisht, janë kushtet shumë të veçanta rajonale dhe ndërkombëtare që e bëjnë vizitën e Imran Khan në Iran një vizitë me rëndësi të jashtëzakonshme. Në fjalimin e parë zyrtar të Imran Khan, kryeministri i ri pakistanez deklaroi se dëshiron "marrëdhënie të mira me fqinjin iranian". Ndonëse kufizimet e vendosura nga sanksionet anti-iraniane të Uashingtonit në një mënyrë ose në një tjetër e kanë bërë të vështirë që Islamabadi të forcojë lidhjet me Teheranin, fakti që Imran Khan po viziton Iranin , tregon se Pakistani është i vendosur për të arritur këtë qëllim. Gjithashtu, Irani dhe Pakistani kanë rënë dakord të formojnë një forcë të përbashkët për të eliminuar grupet terroriste pasi kryeministri Imran Khan filloi vizitën e tij të parë në Teheran me një zotim për të mos u bashkuar me asnjë koalicion kundër Republikës Islamike të Iranit. Të dyja palët ranë dakord që asnjë vend i tretë të mos mundë të ndikojë në lidhjet miqësore dhe vëllazërore që ekzistojnë mes Iranit dhe Pakistanit. Lideri Suprem i Revolucionit Islamik, Ajetollah Khamenei, priti të hënën kryeministrin pakistanez Imran Khan, ku i përshkroi lidhjet midis popujve iranian dhe pakistanez si të përzemërta dhe të thella, duke thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të forcohen në të gjitha fushat. Duke ju referuar rrënjëve historike të marrëdhënieve mes dy kombeve, Lideri Suprem i Revolucionit Islamik vuri në dukje se kulmi i lavdisë së nënkontinentit indian daton nga koha e sundimit të muslimanëve në këtë rajon, duke shtuar se goditja më e madhe e shkaktuar nga kolonizatorët britanikë në këtë rajon të rëndësishëm synonte të shkatërronte qytetërimin e madh islamik. Ajetollah Khamenei i ka përshkruar çështjet e sigurisë në kufijtë e përbashkët si tepër të rëndësishme, duke shtuar se grupet terroriste që shkaktojnë pasiguri në kufi janë të nxitur nga paratë dhe armët e armiqve, një nga qëllimet e të cilëve është të minojë marrëdhëniet midis Iranit dhe Pakistanit. Në këtë takim, kryeministri pakistanez, nga ana e tij, i përshkroi negociatat e tij në Teheran si tepër pozitive. Duke ju referuar marrëdhënieve historike Iran-Pakistan, Imran Khan tha se muslimanët kishin mbretëruar për 600 vjet në Indi duke theksuar se ndikimi i Iranit gjatë kësaj periudhe ishte i tillë që gjuha zyrtare e Indisë ishte persishtja. "Disa nuk duan një afrim midis Teheranit dhe Islamabadit, por ne mund t'i kapërcejmë vështirësitë. Ne po punojmë për të krijuar marrëdhënie më të ngushta mes dy vendeve dhe do të vazhdojmë të angazhohemi me Qeverinë e Republikës Islamike të Iranit ", tha kryeministri i Pakistanit. Kryeministri pakistanez Imran Khan tha se Islamabadi është i vendosur të mos lejojë terroristët të përdorin territorin e tij për të sulmuar vendet e tjera. Ai theksoi se vendi i tij dëshiron të përdorë përvojat iraniane në kujdesin shëndetësor, energji dhe teknologji në një orvatje për të zhvilluar më tej lidhjet e ndërsjella. Analistët politikë janë të mendimit se duhet vlerësuar edhe rëndësia ekonomike e vizitës së kryeministrit pakistanez në Iran kundër një sfondi të kufizimeve që lidhen me luftën ekonomike të udhëhequr nga SHBA. Irani është i prirur të diversifikojë partnerët e tij ekonomik dhe tregtar, pavarësisht sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, dhe Pakistani është një prej tyre. Nga kjo pikëpamje, vizita e Imran Khan do të jetë preludi për një marrëveshje antiamerikane mes Iranit dhe Pakistanit në fronte të ndryshme.