Sjellja në zero e eksporteve të naftës iraniane, realitet apo ëndërr!?
Ministri iranian i naftës Bizhan Zangeneh ka kritikuar SHBA dhe aleatët e saj për përdorimin e naftës si një "armë" politike për të vënë më shumë presion ekonomik ndaj Republikës Islamike të Iranit, duke theksuar megjithatë se Uashingtoni nuk do të jetë kurrë në gjendje të arrijë ëndrrën e tij për sjelljen e eksporteve të naftës iraniane në "zero".
"Definitivisht, ëndrra e SHBA-së për të çuar eksportet e naftës iraniane në zero nuk do të realizohet kurrë dhe ne do të punojmë fuqishëm drejt thyerjes së sanksioneve të Amerikës", tha Zangeneh në seancën e parlamentit iranian të martën. "Gjendja e ofertës dhe e kërkesës së naftës është shumë e brishtë në rrethanat aktuale dhe deklaratat e SHBA dhe aleatëve të saj tregojnë shqetësimet e tyre mbi reagimin e tregut", tha ministri iranian i naftës, një ditë pasi Uashingtoni tha se do të përfundojë heqjet që lejojnë tetë vende për të blerë naftën iraniane pa u përballur me sanksionet e Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara thanë në një deklaratë të hënën se blerësit e naftës iraniane duhet të ndalojnë blerjet deri më 1 maj ose do të përballen me sanksione. Një gazetë libaneze shkroi se sanksionet amerikane kundër Republikës Islamike të Iranit nuk do të kenë sukses. E përditshmja libaneze Al-Akhbar të enjten ka shkruar: Duhet pranuar deklaratat e ministrit iranian të naftës si të drejta që eksporti i naftës iraniane nuk do të bjerë në zero. Al-Akhbar në artikullin me titull “Irani dhe anulimi i përjashtimeve të naftës”, shkruan: Ndryshe nga pritjet e presidentit amerikan, anulimi i përjashtimeve të naftës nga sanksionet amerikane kundër Iranit me qëllim arritjen në zero të eksporteve iraniane të naftës nga 6 muaj në tetë muaj, nuk kanë pasur ndonjë efekt në tregun iranian. Qeveria e Turqisë duke marrë parasysh interesat financiare dhe teknike, ka deklaruar se nuk pranon opsionet rajonale të Trump për të zëvendësuar naftën e Iranit. Turqia nuk i konsideron të përshtatshme opsionet rajonale të Trump për të zëvendësuar naftën e Iranit për t’i plotësuar nevojat e Turqisë. Mevlyt Çavushoglu, ministri i punëve të jashtme të Turqisë, duke kritikuar vendimin e Amerikës për anulimin e amnistisë nga sanksionet për blerësit e naftës së Iranit, ka thënë se vendi i tij ka nevojë për naftën me cilësi të përshtatshme të Iranit dhe ka shtuar: “Për shkak të çmimit të përshtatshëm të naftës së Iranit, nuk jemi të interesuar për importim të naftës së Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”. Ministri i punëve të jashtme të Turqisë ka thënë se rafineritë e këtij vendi nuk kanë potencial për t’u përshtatur me naftën e importuar nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe kjo çështje nga aspekti teknik, ka rëndësi të madhe. Çavushoglu ka shtuar: “Përveç çështjeve teknike, nafta e Iranit ka dallim të madh në çmim në krahasim me naftën e Arabisë Saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe”.