Ambasadori anglez në Teheran thirret në ministrinë e jashtme
Ministria e Jashtme iraniane ka thirrur ambasadorin britanik në Teheran për ti dorëzuar atij një notë të fortë proteste rreth qëndrimit të Londrës ndaj sulmeve të fundit kundër dy naftëmbajtëseve pranë ujërave të Gjirit Persik.
Robert Macaire u thirr në një takim në Ministrinë të shtunën për të dëgjuar kundërshtimin e Iranit ndaj një deklarate nga ministria Britanike e Jashtme e cila ka fajësuar Iranin për sulmet e të enjtes që ndodhën në Detin e Omanit në juglindje të Iranit. Britania është e vetmja fuqi e madhe ndërkombëtare që ka ndjekur Shtetet e Bashkuara në fajësimin e Iranit për sulmet duke e akuzuar Teheranin për "destabilizimin" e rajonit. Këto sulme të fundit bazohen në një sjellje destabilizuese të Iranit dhe paraqesin një rrezik serioz për rajonin", tha Jeremy Hunt në një deklaratë të premten. Mahmoud Barimani, i cili shërben si Ndihmës Ministër dhe Shef i Departamentit të Evropës të Ministrisë së Jashtme iraniane, tha se ai i kishte kërkuar shpjegime Macaire dhe i ka kërkuar që Anglia të rishikojë “pozicionin e papranueshëm" të deklaruar nga qeveria britanike mbi këtë çështje. Barimani tha se këto qëndrime ishin një arsye kryesore pse Britania u përball me një pakënaqësi të shtuar popullore në vend dhe në mbarë botën. "Reagimet popullore kundër Britanisë janë për shkak të qasjeve të tilla të vendit që mbështesin pretendimet e pabazuara të zyrtarëve amerikanë në raste të ndryshme", tha Barimani. "Ne i kujtojmë qeverisë britanike nevojën për të rishikuar qasjen e saj dhe për të adoptuar qëndrime realiste bazuar në realitetet e politikave të Republikës Islamike të Iranit", shtoi ai. Macaire premtoi gjatë takimit që menjëherë t'ia transmetojë vërejtjen e Iranit qeverisë së tij, sipas një raporti nga agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.