Rusia: Irani nuk ka kryer asnjë shkelje të marrëveshjes bërthamore
Asnjë nga masat e marra nga Irani nuk përbën një shkelje të marrëveshjes bërthamore, tha Ministri i Jashtëm rus.
"Ne nuk duhet të mbyllim sytë ndaj faktit se rritja e pasurimit të uraniumit në Iran nuk bie në kundërshtim me asnjë nga angazhimet e këtij vendi nën marrëveshjen bërthamore", tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov. Sipas agjensisë së lajmeve Tasnim, Sergei Lavrov, i cili po fliste të hënën (8 korrik) në takimin joformal të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Sllovaki, tha se Moska nuk donte një përshkallëzim rreth Iranit dhe më në përgjithësi në rajonin e Gjirit Persik, duke shtuar se shpresonte se zyrtarët iranianë do të tregonin më shumë përmbajtje. "Ne nuk mund të mbyllim sytë përballë realitetit. Dhe realiteti është se Irani, duke tejkaluar pragun prej 3.67%, në masën 5% në aktivitetet e pasurimit të uraniumit, nuk ka shkelur ndonjë nga angazhimet e tij nën marrëveshjen bërthamore. Prandaj, situata duhet vlerësuar duke marrë parasysh këtë realitet", tha Lavrov. Lavrov shtoi se amerikanët dhe izraelitët do të bënin më mirë t'i adresojnë "gjetkë" pyetjet e tyre të mundshme rreth programit të raketave iraniane ose politikën rajonale të atij vendi dhe të mos i ngatërrojnë këto çështje me marrëveshjen bërthamore. "Ne duhet të shmangim shkatërrimin e një marrëveshjeje të arritur me kaq shumë vështirësi dhe kaq efektive në forcimin e regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore", tha ai.