Iran, loja e rrezikshme e Britanisë
Një gazetë britanike vlerëson se duke ndjekur hapat e Shteteve të Bashkuara si në luftën në Afganistan dhe Irak, Britania po hyn në një lojë të rrezikshme me Iranin.
Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë javën e ardhshme një luftanije të dytë në Gjirin Persik për t'u bashkuar me atë tashmë të pranishme në këtë rajon, shkroi The Independent. "Dhe kjo, ndërsa Mbretëria e Bashkuar është gati të përfshihet në një konflikt në të cilin mund të vendosë vetëm një numër të kufizuar forcash dhe mund të jetë objekt i hakmarrjes nga Irani në rast të një provokimi amerikan", vazhdoi The Independent. "Në një sens , kjo mund të ketë ndodhur tashmë, nëse vërtet Shtetet e Bashkuara ishin pas komandove të Marinës Mbretërore që kapën një cisternë iraniane që po shkonte për në Siri jashtë Gjibraltarit. Është e vështirë të marrësh seriozisht pretendimin britanik se ata e kryen këtë akt provokimi vetëm me kërkesë të autoriteteve të Gjibraltarit dhe pas shkeljes së sanksioneve të vendosura nga BE mbi Sirinë ", shtoi kjo gazetë. Iranianët u kërkojnë britanikëve të lirojnë menjëherë tankerin duke i paralajmëruar ata që të mos përfshihen në këtë lojë të rrezikshme. "Por, Londra është përfshirë tashmë në këtë lojë të rrezikshme. Është e mundur që iranianët ta shohin më pak të rrezikshme për të vepruar kundër Mbretërisë së Bashkuar, që ata e denoncojnë si një emisar amerikan, sesa drejtpërdrejt kundër Shteteve të Bashkuara", pohoi kjo e përditshme britanike. "Ashtu si në Irak pas vitit 2003 dhe në Afganistan pas vitit 2006, Mbretëria e Bashkuar është angazhuar në një konflikt në të cilin është vetëm një lojtar i vogël, por përballet me rreziqet e njëjta si Shtetet e Bashkuara". Disa analistë kërkojnë të vetsigurohen duke kujtuar se një koalicion i fuqive detare perëndimore mbrojti depozitat naftëmbajtëse të Kuvajtit gjatë luftës së tankerëve në luftën Iran-Irak në vitet 1980. Në atë kohë, Irani ishte i izoluar, ndërsa sot, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar nuk kanë aleatë të besueshëm që do të mjaftohen vetëm duke qëndruar larg pa luftuar, siç do të bëjnë ndoshta Izraeli dhe Arabia Saudite. Tashmë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hequr dorë nga një konfrontim me Iranin, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera janë skeptikë nëse Presidenti Trump do të mund të sigurojë kohezionin e koalicionit dhe shqetësohen se ku mund t'i çojë ai në një aventurë të rrezikshme në Gjirin Persik. Londra mund të bëhet një objektiv pa e ditur se ku Shtetet e Bashkuara po e tërheqin atë dhe se sa Trump dhe administrata e tij janë përgatitur për një luftë të kufizuar ose në shkallë të gjerë kundër Iranit. Largimi i detyruar i ish-ambasadorit britanik në Uashington, Sir Kim Darroch, nga Shtetet e Bashkuara tregon se sa i kufizuar është ndikimi britanik në Shtëpinë e Bardhë. Britania e Madhe thotë se dëshiron të qetësojë krizën, por nga këndvështrimi i Iranit, dërgimi i një luftanijeje të dytë në Gjirin Persik dëshmon të kundërtën.