Fuqia mbrojtëse e Iranit është vijë e kuqe
Shefi i stafit të presidentit iranian Hasan Ruhani pohoi se fuqia mbrojtëse e Iranit është e panegociueshme. "Fuqia mbrojtëse e vendit është një vijë e kuqe.
Ne nuk do të mbajmë negociata në këtë fushë në asnjë rrethanë, dhe e kemi thënë këtë në raste të përsëritura", tha të mërkurën Mahmud Vaezi. Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif në një intervistë me NBC News, deklaroi: "Pra, nëse ata (SHBA) duan të flasin për raketat tona, ata duhet së pari të ndalojnë shitjen e të gjitha armëve, duke përfshirë edhe raketat, në rajonin tonë". Duke keqinterpretuar këtë deklaratë, Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo pohoi të martën se "për herë të parë, iranianët kanë thënë se janë të përgatitur të negociojnë për programin e tyre raketor". Vaezi theksoi: "Nuk është një gjë e re për zyrtarët e ndryshëm amerikanë të bëjnë deklarata kontradiktore çdo minutë". Ai i cilësoi deklaratat e Zarif për NBC News "shumë të qarta", duke shtuar: "Asnjë pjesë e intervistës nuk lejon një interpretim të tillë."