Trump e ka ftuar Zarifin në takim, por është refuzuar
Pak para se Shtetet e Bashkuara të vendosnin sanksione ndaj Ministrit të Jashtëm të Iranit Muhamed Xhavad Zarif, Presidenti i SHBA Donald Trump e ftoi atë për një takim në Shtëpinë e Bardhë përmes një ndërmjetësi, ndërsa Zarif ishte në SHBA, bën të ditur një raport i mediave amerikane.
Sipas raportit, të shkruar nga Robin Wright për revistën amerikane The New Yorker, senatori republikan i Kentucky, Rand Paul, i cili është caktuar nga Trump si një ndërlidhës mes Iranit dhe SHBA, i dorëzoi ftesën zotit Zarif gjatë një takimi në rezidencën e ambasadorit të Iranit në Kombet e Bashkuara në New York më 15 korrik. Ministri i Jashtëm iranian ndodhej në ShBA për një samit në OKB, dhe ai e refuzoi ftesën pasi u këshillua me Teheranin, sipas raportit, i cili citoi "burime amerikane dhe iraniane dhe një diplomat të mirëinformuar". Sidoqoftë, pas takimit me Rand Paul, "Zarif ua përcolli mesazhin liderëve të Iranit. Ata nuk e miratuan një takim në këtë kohë", tha raporti i The New Yorker. Ministria e Jashtme e Iranit nuk e komentoi raportin. Zyrtarët iranianë kanë thënë në të kaluarën se ndërsa ata janë të hapur për diplomacinë, por se SHBA do të duhej të kthehej në marrëveshjen bërthamore të Iranit ose të hiqte disa sanksione para se të mund të ndodhte ndonjë negociatë.