Pakistani kërkon ndihmën e Iranit në Kashmir
Pakistani i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Iranin, të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin në Kashmir, pas një vale të re tensionesh midis New Delhit dhe Islamabadit mbi rajonin e diskutueshëm.
Gjatë një bisede telefonike të shtunën, Kryetari i Parlamentit të Iranit, Ali Larixhani dhe Kryetari i Asamblesë Kombëtare Pakistaneze, Asad Kaiser shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit në rajonin e diskutueshëm të Kashmirit, raportoi IRNA. Kaiser shprehu shpresën se Irani do të përdorë të gjitha kapacitetet e tij rajonale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar në reduktimin e tensioneve në Kashmir. Ai e përshkroi Republikën Islamike si një vend miqësor dhe vëllazëror të Pakistanit, duke thënë se Islamabadi e konsideron Teheranin një palë kryesore për konsultim dhe bashkëveprim në kohë të vështira. Larixhani, nga ana e tij, tha se çështja e Kashmirit duhet të zgjidhet përmes qasjeve diplomatike. Duke thënë se Irani po monitoron nga afër zhvillimet në Kashmir, ai nënvizoi domosdoshmërinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes bazuar në rezolutat e OKB. Kashmiri është ndarë midis Indisë dhe Pakistanit që nga viti 1947. Të dy vendet pretendojnë sovranitetin mbi të gjithë Kashmirin dhe kanë zhvilluar tre luftëra mbi këtë territor.