Evropianët nuk pranojnë diktatin e SHBA
Ministri finlandez për Punë të Jashtme, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, ka ritheksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëveshjes bërthamore të Iranit dhe tha se BE nuk do të ndjekë politikat e sanksioneve amerikane të imponuara ndaj Iranit.
Në një intervistë për Euronews, Pekka Haavisto tha se vizita e afërt e Ministrit të Jashtëm të Iranit në Finlandë do të ishte një mundësi për të diskutuar krizën aktuale rreth Gjirit Persik. Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif do të vizitojë Finlandën të hënën, 19 gusht. Ministri i Jashtëm finlandez shtoi se vizita e homologut të tij iranian në Helsinki ishte pjesë e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve. Ministria e Punëve të Jashtme finlandeze njoftoi dhjetorin e kaluar se Helsinki do të ndalojë shitjet e armëve në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për shkak të rolit të këtyre dy vendeve në krizën humanitare të Jemenit. Ky vendim u mirëprit qartë nga Teherani. Në një deklaratë të fundit, ministri i jashtëm francez kundërshtoi gjithashtu deklaratat anti-iraniane të Presidentit Trump, duke thënë se Franca nuk priste autorizimin e Shtëpisë së Bardhë për të drejtuar politikën e saj të jashtme dhe se Parisi mban një pozicion të pavarur përballë Iranit.