Zarif: Të huajt do të largohen nga Lindja e Mesme
Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif në një takim me princin e kurorës së Kuvajtit ka theksuar lidhjet bilaterale midis Iranit dhe Kuvajtit, duke shtuar se "të huajt" nuk kanë vend në rajon dhe duhet të largohen.
Zarif, i cili të dielën mori një pritje të ngrohtë nga Princi i Kurorës së Kuvajtit Sheik Navaf al-Ahmed al-Xhaber al-Sabah, shprehu gatishmërinë e Iranit për zgjerimin e lidhjeve dhe dialogut midis dy vendeve, duke thënë se të tilla marrëdhënie do t'i shërbejnë interesave të rajonit dhe stabilitetit dhe sigurisë së tij. Zarif gjithashtu përshëndeti marrëdhëniet dypalëshe vëllazërore midis Iranit dhe Kuvajtit, duke kërkuar zgjerim të mëtejshëm të marrëdhënieve. Duke folur mbi përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe nevojën për një bashkëpunim në rritje midis vendeve të rajonit, Zarif tha: "Ne jemi ata që patjetër do të mbetemi në këtë rajon dhe të huajt do të largohen." Më vonë të dielën, Zarif u takua dhe diskutoi çështjet rajonale dhe kushtet aktuale në Gjirin Persik me homologun e tij kuvajtian, Sheik Sabah Al Khaled Al Hamad. Gjatë takimit, të dy palët shqyrtuan aspekte të ndryshme të lidhjeve bilaterale midis Teheranit dhe Kuvajtit, çështjet rajonale me theks të veçantë në Siri dhe Jemen, situatën në rajonin e Gjirit Persik, çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe tema të tjera me interes të ndërsjellë.