Zarif në Kinë: Mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar në rritje
Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhamed Xhavad Zarif deklaroi se mosrespektimi i ligjit ndërkombëtar është rritur gjatë viteve të fundit, duke e përshkruar këtë si një arsye për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar midis Iranit dhe Kinës.
Zarif e bëri këtë deklaratë të hënën gjatë një takimi me homologun e tij kinez, Wang Yi, në Pekin, ku ai ndodhet në një turne dy-ditore. "Neglizhenca ndaj rregullave ndërkombëtare dhe përçmimi i ligjit ndërkombëtar ka ardhur duke u rritur dhe kjo është arsyeja pse dy vendet Irani dhe Kina, si miq të vjetër, duhet të zgjerojnë më tej bashkëpunimin e tyre dypalësh," tha diplomati më i lartë i Iranit. Zarif përmendi sektorët ekonomikë dhe kulturorë si fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit midis dy vendeve, duke shtuar: "Irani dhe Kina mund të bashkëpunojnë në fushat e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë, ekonomisë, tregtisë dhe çështjeve të sigurisë." Ministri i jashtëm kinez, nga ana e tij, tha se marrëveshja bërthamore e nënshkruar midis Iranit dhe fuqive të mëdha botërore, përfshirë Kinën, në vitin 2015, ishte një arritje e rëndësishme diplomatike dhe një simbol i multilateralizmit. Ai shtoi se Pekini është i vendosur të bashkëpunojë me Teheranin dhe bashkësinë ndërkombëtare për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore. Wang theksoi se çështjet bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare u diskutuan gjatë takimit të tij me zotin Zarif dhe tha se Irani dhe Kina duhet të hartojnë plane për bashkëpunim të përbashkët në një mënyrë që do t'i ndihmonte ata të vazhdojnë zhvillimin dhe përparimin e tyre.