Zarif në Moskë: Është Irani ai që garanton sigurinë e rajonit
Ministri iranian i Punëve të Jashtme i cili ndodhet në Moskë në një konferencë të përbashkët me homologun e tij rus deklaroi se gjëja më e rëndësishme për momentin është zbatimi nga vendet evropiane i angazhimeve të tyre në kuadër të marrëveshjes bërthamore.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Fars News, Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif pati një takim të hënën, me homologun e tij rus Sergei Lavrov. "Marrëdhëniet midis Iranit dhe Rusisë janë sot në kushtet më të mira të mundshme në disa dekada," tha Zarif para se të shtonte se udhëheqësit e të dy vendeve do të takohen përsëri të paktën dy herë, brenda samiteve shumëpalëshe deri në fund të vitit. "Ne i shohim Rusinë dhe Kinën si partnerë që na kanë ndihmuar në mbijetesën e marrëveshjes bërthamore. Fatkeqësisht, ne nuk kemi parë të njëjtën qasje nga ana e evropianëve. Ata nuk kanë qenë në gjendje ose të gatshëm të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përmbushur detyrimet e tyre në kuadër të marrëveshjes bërthamore", deklaroi Zarif. Ministri i Jashtëm iranian shtoi: "Sa i përket çështjeve të sigurisë në Gjirin Persik, vizioni ynë dhe ai i Rusisë janë shumë afër: siguria duhet vendosur në bashkëpunim midis vendeve të këtij rajoni. Fatkeqësisht, me idenë e dërgimit të përforcimeve shtesë në rajon, Amerika vetëm po përpiqet të shtojë tensionet ekzistuese. Lundrimi i lirë është një e drejtë për të gjithë". "Nëse Amerika dëshiron të flasë për rajonin tonë, së pari duhet të rishikojë rolin e saj destruktiv. Trump tha se ai shpenzoi 7 trilion dollarë në rajon dhe, përveç humbjeve, nuk mori asgjë tjetër. Irani është ai që mbron sigurinë e rajonit. Amerika ka qenë burimi i pasigurisë në Sirinë lindore dhe Idlib. Amerika mbështet bombardimin e jemenasve të pafajshëm. Amerika po negocion në këtë moment me një grup që është po ai, për shkatërrimin e të cilit hyri në Afganistan 18 vjet më parë në kurriz të vendeve të tjera", deklaroi shefi i diplomacisë iraniane.