Zarif: Me spiun në Ekipin-B, Amerika nuk ka nevojë për armiq
Pas njoftimeve se Izraelit ka vendosur pajisje misterioze të spiunazhit pranë Shtëpisë së Bardhë, Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif ka ironizuar lidhjet miqësore të Uashingtonit me Tel Avivin, duke thënë se me miq të tillë, SHBA nuk kanë nevojë për armiq.
"Ekipi- B godet përsëri", tha të premten Zarif në një postim sarkastik, duke iu referuar një termi të krijuar nga ai vetë për të përshkruar një grup ndërkombëtar të luftënxitësve, përfshirë Kryeministrin izraelit Beniamin Netanjahu. Sipas mediave amerikane, Qeveria amerikane ka konkluduar se brenda dy viteve të fundit Izraeli ka vendosur pajisje vëzhgimi pranë Shtëpisë së Bardhë dhe vendndodhjeve të tjera të ndjeshme përreth Uashington DC. Pajisjet ka të ngjarë të kenë spiunuar Presidentin Donald Trump, tha një nga ish-zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, si dhe ndihmësit e tij më të mirë dhe bashkëpunëtorët më të afërt - megjithëse ende nuk është e qartë nëse përpjekjet e Izraelit ishin të suksesshme. Trump, i cili e quan veten presidenti më pro-Izraelit në historinë e SHBA, u tha gazetarëve se e ka "të vështirë të besojë" se izraelitët kishin vendosur pajisjet. "Unë nuk mendoj se izraelitët po na spiunonin," tha Trump. "Marrëdhënia ime me Izraelin ka qenë e shkëlqyeshme ... Sidoqoftë, çdo gjë është e mundur, por nuk besoj", tha Presidenti amerikan.