Zarif: SHBA tregon edhe një herë se sanksionet synojnë popullin iranian
Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif ka dënuar një vendim të Presidentit amerikan Donald Trump për të forcuar presionin ekonomik kundër Teheranit, duke thënë se Uashingtoni edhe një herë vërtetoi se me qëllim synon të sulmojë njerëzit e zakonshëm.
Zarif në një postim të mërkurën tha se vendimi i Trump kishte për qëllim të përshkallëzojë luftën ekonomike kundër Teheranit, pavarësisht nga pasojat e saj. "Është e qartë se SHBA haptazi është duke sulmuar qytetarët e zakonshëm: Terrorizmi Ekonomik, është i paligjshëm dhe çnjerëzor," tha ai. Trump njoftoi në twitter se kishte urdhëruar sekretarin e Thesarit Stiven Mnuchin që të “rrisë ndjeshëm sanksionet” e vendosura ndaj Iranit, pas tensioneve të përshkallëzuara mes Uashingtonit dhe Teheranit. Presidenti i SHBA Donald Trump u tha gazetarëve të mërkurën se ai do të japë më shumë hollësi rreth rritjes së sanksioneve amerikane ndaj Iranit brenda 48 orësh. Ndërkohë, Rusia e cilësoi si "destruktiv" dhe "të pakuptimtë" vendimin e Trump për të rritur presionin ekonomik kundër Iranit. Ministria e Punëve të Jashtme ruse të mërkurën dënoi njoftimin e Trump për "rritje të konsiderueshme" të sanksioneve ndaj Iranit. Ministria e Jashtme ruse paralajmëroi se sanksionet nuk do të zgjidhnin asgjë, sepse Irani nuk do ta ndiente ndikimin pasi që prej shumë kohësh ishte nën sanksione të njëanshme nga Uashingtoni dhe disa prej aleatëve të tij.