OKB, Ruhani: "Nëse doni dialog nën sanksione, përgjigja jonë është 'jo'
https://parstoday.ir/sq/news/iran-i91190-okb_ruhani_nëse_doni_dialog_nën_sanksione_përgjigja_jonë_është_'jo'
Presidenti iranian Hasan Ruhani mbajti të mërkurën një fjalim në seancën e 74-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në New York.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Shtator 25, 2019 17:57 Europe/Tirane
  • OKB, Ruhani:

Presidenti iranian Hasan Ruhani mbajti të mërkurën një fjalim në seancën e 74-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në New York.

Në fjalën e tij, Presidenti Hasan Ruhani denoncoi politikën e Administratës Trump dhe tërheqjen e saj të njëanshme nga marrëveshja bërthamore, ndërsa Irani plotësisht respektoi angazhimet e tij në bazë të marrëveshjes. "Duke abuzuar me kontrollin e saj mbi sistemin bankar dhe financiar, qeveria amerikane po kryen një pirateri të vërtetë ndërkombëtare", deklaroi Presidenti iranian duke shtuar: "Unë vij nga një vend që ka duruar një terrorizëm të pamëshirshëm ekonomik për një vit e gjysmë, duke u përpjekur t'i rezistojë të gjitha presioneve për të mbrojtur të drejtën e tij legjitime për pavarësi, zhvillim shkencor dhe teknologjik". Ruhani theksoi: "Pushtetarët amerikanë janë të varur nga politika e sanksioneve kundër shteteve si Irani, Venezuela, Kuba, Kina apo Rusia. Populli iranian nuk do ta harrojë kurrë këtë krim dhe nuk do t'i falë kurrë autorët e tij. Nëse doni dialog nën sanksione, përgjigja jonë është 'jo' ". Ai kritikoi gjithashtu pozicionin e dobët të palës evropiane. "Në lidhje me marrëveshjen bërthamore, qeveria amerikane jo vetëm që ka shkelur Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të KB, por gjithashtu ka shkelur të drejtën e shteteve sovrane për pavarësi politike dhe ekonomike", tha Presidenti iranian. Presidenti Ruhani denoncoi premtimet e rreme për dialog te palëve amerikane dhe evropiane, duke thënë: "Ata na thërrasin për dialog, por ata vetë largohen nga dialogu. Në fakt, ne u angazhuam me amerikanët në negociatat 5 + 1, por qeveria aktuale e SHBA e ka tradhtuar fjalën e dhënë nga paraardhësi i saj". Presidenti iranian kundërshtoi kategorikisht idenë e dialogut nën sanksione. "Populli dhe qeveria iraniane u kanë rezistuar sanksioneve më të këqija të SHBA për një vit e gjysmë. Ne kurrë nuk do të dialogojmë me një armik që përdor presion, sanksione dhe armën e mjerimit për të na detyruar të nënshtrohemi ndaj dëshirës së tij ", shtoi Presidenti Hasan Ruhani. Presidenti  iranian tha se  Teherani do të vepronte në përpjesëtim me masat e marra nga palët e tjera. "Unë po ju them qartë: nëse kënaqeni me minimumet, ne do të kënaqemi me minimumet nga ana jonë. Marrëveshja bërthamore ishte vetëm një marrëveshje minimale si për ju, dhe për ne. Nëse doni të keni një marrëveshje më të gjerë, duhet të ofroni më shumë. Në vend që të bëni gjeste false, kthehuni në realitetin e procesit të dialogut. Fotografitë përkujtimore janë hapi i fundit i një dialogu, jo i pari". Në një pjesë tjetër të fjalës së tij, Presidenti iranian Hasan Ruhani foli për ngjarjet e fundit në Gjirin Persik, ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Omanit, duke theksuar se siguria dhe paqja në këto zona detare do të ishin të garantuara nga bashkëpunimi i vendeve të rajonit për të siguruar qarkullimin e lirë të energjisë dhe transportin e saj në tregun global. Ai më pas propozoi planin e tij Iniciativa e Paqes në Hormuz jo vetëm për fqinjët rajonalë të Iranit, por edhe për të gjitha shtetet e interesuara në planin ekonomik dhe të sigurisë në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit. Presidenti Ruhani shtoi: "Ky plan bazohet në parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara si respekti i ndërsjellë, interesat e ndërsjella, barazia e shteteve, dialogu dhe mirëkuptimi, respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial, respektimi i kufijve ndërkombëtarë, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve dhe mbi të gjitha mosndërhyrja në punët e brendshme të shteteve sovrane".  Duke ju drejtuar fqinjëve rajonalë të Iranit, veçanërisht në rajonin e Gjirit Persik, Presidenti Hasan Ruhani tha: "Ne i konsiderojmë sigurinë, pavarësinë dhe paqen e fqinjëve tanë, si tonat. Amerikanët nuk janë fqinjët tanë ose tuajit. Ne të gjithë kemi mësuar në kulturën tonë myslimane se interesat e fqinjit kanë përparësi ndaj tonave. Ne jemi fqinj të njëri-tjetrit. Shtetet e Bashkuara janë këtu ku ne po takohemi sot. Ky nuk është një vend në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara nuk janë avokat i askujt. Ata nuk janë avokatë i asnjë qeverie, sepse asnjë shtet sovran nuk i jep mandat një shteti tjetër për punët e tij. "