Irani kritikon vazhdimin e agresionit saudit kundër Jemenit
Irani ka kritikuar Arabinë Saudite për vazhdimin e politikës së saj të gjatë luftënxitëse në Jemen përkundër propozimit të fundit të Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar të udhëhequr nga Ansarullah që nëse Riadi ndalon bombardimet, forcat jemenase do të përfundojnë sulmet me dronë dhe raketa në tokën saudite.
"Republika Islamike e Iranit mirëpret ofertën e Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar të Jemenit dhe e konsideron atë në përputhje me vendosjen e stabilitetit dhe sigurisë në rajon," tha të dielën Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Abas Musavi, duke shtuar se përkundër mbështetjes ndërkombëtare për këtë propozim, Arabia Saudite ende po ndjek politikën e saj të agresionit dhe vazhdon të bombardojë rajone të ndryshme në Jemen. "Ne inkurajojmë qeverinë Saudite të pranojë këtë propozim dhe të mbështesë çdo veprim që synon të vendosë armëpushimin dhe t'i japë fund luftës mizore kundër popullit jemenas," tha zëdhënësi iranian. Në një intervistë me rrjetin televiziv al-Masirah në fillim të këtij muaji, Shefi i Këshillit Suprem politik të lëvizjes Ansarullah, Mahdi al-Mashat, bëri thirrje për ndaljen e sulmeve nga të dy palët dhe për bisedime serioze midis të gjithë palëve të përfshira. "Ne deklarojmë se pushojmë së sulmuari territorin e Arabisë Saudite me dronë, raketa balistike dhe të gjitha format e tjera të armëve, dhe presim një lëvizje reciproke prej tyre," vuri në dukje Mashat, duke shtuar: "Ne rezervojmë të drejtën të reagojmë nëse sauditët nuk përgjigjen pozitivisht ndaj kësaj nisme".