Gjiri Persik, raketa iraniane që habiti amerikanët dhe rusët
Në rast konflikti, raketa Khalixh-e- Fars (Gjiri Pesik) mund të shkaktojë goditje fatale për armikun pa mbështetje nga ajri ose deti.
Fuqia balistike e Iranit mbetet një tipar i dukshëm i arritjeve ushtarake dhe mbrojtëse të vendit. Por kjo nuk është e gjitha: arsenali balistik iranian ka mjaft për të habitur fuqitë balistike botërore. Dhe e gjithë kjo realizohet kur Irani po përballet me sanksionet më të ashpra në histori, siç pranohet nga amerikanët që janë arkitektët e tyre. Më 7 shkurt 2011, gjeneral brigade Muhamed-Ali Xhafari, asokohe komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik, njoftoi prodhimin masiv të një rakete "inteligjente balistike" me aftësi të jashtëzakonshme. Raketa Gjiri Persik është një raketë balistike anti-anije, me karburant të ngurtë dhe me rreze veprimi 300 kilometra, e projektuar dhe prodhuar sipas modelit të raketave Fateh-110. E pajisur me një kokë eksplozive që peshon 650 kilogramë, raketa Gjiri Persik përfiton nga sisteme që e bëjnë shumë të vështirë kapjen e saj. Ajo dallohet për karakterin e saj balistik dhe për shpejtësinë supersonike, ndërsa raketat e zbuluara më parë ishin të llojit cruise dhe kishin një shpejtësi më të ulët se ajo e zërit. Kjo raketë është në gjendje të shënjestrojë vertikalisht anijet armike dhe të kyçet mbi objektivin e saj gjatë fazës përfundimtare të lëshimit të saj. Raketa mbështetet në sistemin e vet të navigimit të brendshëm, i cili e lejon atë të fluturojë pa ndërhyrje radio-elektronike. Me një interval veprimi prej 300 kilometrash, ajo do të mbulojë pothuajse të gjithë Gjirin Persik dhe Detin e Omanit. Maja e kësaj rakete është e pajisur me një sistem elektrik optik të përparuar që i lejon asaj të zbulojë në mënyrë të pavarur objektivat e saj. Koka e raketës Gjiri Persik është në gjendje të lëshojë deri në 3,000 pjesë eksplozive me një shpejtësi që varion nga 600 në 2,000 m / s. Në këtë rast, vetëm energjia e lëshuar nga vala e shpërthimit do të jetë në gjendje të shkatërrojë të gjitha objektet që janë në sipërfaqen e një anijeje. Menjëherë pas testimit të raketave Gjiri Persik nga Garda Revolucionare e Iranit, Zyra e Inteligjencës Detare (ONI) raportoi një tolerancë gabimi më të vogël se 10 metra për raketën iraniane. Kjo Zyrë theksoi se raketa Gjiri Persik ishte në gjendje të shkatërrojë të gjitha pajisjet ushtarake detare të armiqve të Iranit në Gjirin Persik dhe në Detin e Omanit. Në lidhje me këtë, gjeneral brigade Husein Salami, komandant i përgjithshëm i Korpusit të Gardës së Revolucionit Islamik, tha se teknologjia e përdorur nga raketa Gjiri Persik është e panjohur për Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.