Droni i rrëzuar në Iran ishte amerikan?
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së sapo njoftoi se " droni që u rrëzua në Iran nuk ishte amerikan". Komanda Qendrore e SHBA CENTCOM shkroi në faqen e saj në Twitter:
"Informacioni i supozuar se një dron amerikan u rrëzua është i pasaktë. Nëse një dron është zhdukur në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM, ai nuk i përket Departamentit të Mbrojtjes së SHBA. Të gjitha pajisjet amerikane në rajon janë në rregull". Sipas autoriteteve iraniane, droni në fjalë i përkiste një fuqie të huaj. Ai u qëllua duke përdorur sistemin e raketave Mersad, njoftoi agjensia e lajmeve Tasnim News. I pyetur nga agjensia IRNA, prefekti i provincës Khuzestan ku u rrëzua droni, tha: "Droni kishte depërtuar në orët e para të së Premtes në hapësirën ajrore të portit Mahshahr para se të rrëzohej nga mbrojtja ajrore e Iranit. Mbetjet e dronit të huaj janë duke u analizuar në Seksionin e Hetimit të Forcave të Armatosura dhe rezultatet e hetimit do të bëhen publike shumë shpejt. Porti Mahshahr është objekti më i madh petrokimik në Lindjen e Mesme. Ai ndodhet 100 km në juglindje të Ahvazit, kryeqendër e provincës Khuzestan.