Irani thërret përfaqësuesin e interesave të SHBA në Teheran
Ministria e Jashtme iraniane thirri të mërkurën të ngarkuarin me punë të Zvicrës në Teheran, Markus Leitner, vendi i të cilit përfaqëson interesat amerikane në Republikën Islamike të Iranit, për të shprehur protestën e fortë të Iranit kundër "deklaratave luftënxitëse" të Uashingtonit dhe ndaj akuzave të pabaza kundër Iranit.
Ndihmësi i Ministrit të Punëve të Jashtme, Mohsen Baharvand, dorëzoi notën zyrtare të protestës të dërguarit të Zvicrës, duke protestuar fuqishëm kundër "deklaratave kërcënuese të amerikanëve kundër Iranit, të cilat gjithashtu shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara". Mohsen Baharvand i kërkoi diplomatit zviceran që t'ua përcillte letrën zyrtarëve amerikanë ndërsa pohoi se "Iraku ishte një vend i pavarur dhe se populli irakian ishte gjithashtu një popull i lirë dhe i pavarur". "Të paktën njëzet e pesë të rinj irakianë ranë dëshmor dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmin amerikan ndërkohë që pala amerikane nuk ofroi ndonjë dëshmi të fajit të tyre, dhe në këtë kontekst populli irakian natyrisht reagon ndaj vendit që pushton tokat e tij dhe vret të rinjtë e tij", tha ndihmësi i kreut të diplomacisë iraniane. Duke ju drejtuar autoriteteve amerikane, Baharvand theksoi se autoritetet amerikane duhet të ndalin fushatën e tyre të dezinformatave dhe të ndalojnë akuzimin pa asnjë provë të Iranit në lidhje me këtë çështje. "Qeveria amerikane duhet të mësojë si të flasë me kombet e tjera dhe të ndalojë okupimin, në vend që të fajësojë të tjerët," deklaroi zyrtari iranian.