Takht’revanci: Sanksionet e pengojnë kombin iranian të përballet me korona virusin
Përfaqësuesi i përhershëm i RII në OKB në një mesazh të tij në Twitter ka deklaruar se sanksionet e njëanshme të Amerikës kundër Iranit, po pengojnë përpjekjet e Teheranit për tu përballur me virusin korona dhe shtoi se krizat ndërkombëtare kanë nevojë reale për përpjekje ndërkombëtare.
Maxhid Takht’revanci në këtë mesazh tha se populli dhe qeveria iraniane janë duke bërë përpjekje maksimale për tu përballur me virusin korona mirëpo sanksionet amerikane krijojnë pengesë. Ai me këtë rast kërkoi nga Amerika që të mos politizojë përpjekjet humanitare dhe të heqë sanksionet. Më herët Ministri i jashtëm i RII në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB ka kërkuar anulimin e sanksioneve të njëanshme dhe të jashtëligjshme të Amerikës kundër Iranit, i cili aktualisht po përballet me virusin Korona. Ministri i Jashtëm iranian, Muhamed Xhavad Zarif në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres tha se sanksionet e SHBA për tregtinë ligjore dhe parakushtet e fundit të zyrtarëve amerikanë për pengimin e shitjeve të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore kanë krijuar pengesa serioze për përpjekjet e Iranit në luftën kundër koronavirusit. Në letër, një kopje e së cilës u është dërguar shefave të të gjitha organizatave ndërkombëtare dhe ministrave të jashtëm të të gjitha vendeve, ministri i Jashtëm iranian theksoi nevojën për heqjen e të gjitha sanksioneve ilegale dhe të njëanshme të SHBA-së në mënyrë që Irani të mund të përballej me epideminë e koronavirusit. Megjithë aftësitë shkencore të Iranit dhe përkushtimin e sistemit të tij shëndetësor për të luftuar përhapjen e koronavirusit, sanksionet amerikane kanë penguar përpjekjet e tij për të luftuar virusin, tha Zarif. Ai bëri thirrje për një ndalesë të menjëhershme të terrorizmit ekonomik të SHBA-së kundër popullit iranian dhe theksoi detyrën e OKB dhe vendeve anëtare për të përkrahur popullin iranian në kërkesën e tij për të hequr sanksionet e SHBA.