Ruhani: Imperializmi amerikan më i rrezikshëm se koronavirusi për bashkësinë ndërkombëtare
Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se Imperializmi amerikan është një virus, i cili është më i rrezikshëm për bashkësinë ndërkombëtare, sesa koronavirusi.
"Kombet e pavarura dhe liridashës si Irani dhe Venezuela kanë qenë gjithmonë nën presion si rezultat i kërkesave arrogante të pushtetarëve amerikanë dhe shantazhit të tyre", tha të hënën Ruhani në një telefonatë me Presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro. "Irani dhe Venezuela kanë vite që i rezistojnë me sukses virusit agresiv dhe të vjetër të SHBA përmes solidaritetit dhe zgjerimit të bashkëpunimit," shtoi ai. Presidenti iranian vuri në dukje planet dhe masat e Iranit për të kundërshtuar koronavirusin vdekjeprurës dhe për të përmbushur nevojat e tij, përfshirë prodhimin e kiteve të testimit diagnostikues, dhe shprehu gatishmërinë e Teheranit për të ndarë me Karakasin përvojën e tij në luftën kundër koronavirusit. Ruhani theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, duke thënë: "Zgjerimi i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve midis dy vendeve sigurisht që do t'i shërbejë interesave të të dy popujve." Presidenti i Venezuelës, nga ana e tij, tha se Teherani dhe Karakasi kanë qenë gjithmonë të bashkuar dhe në të njëjtin front në betejën kundër imperializmit. Maduro gjithashtu përshëndeti arritjet e mëdha të bëra nga Irani në luftën kundër koronavirusit, duke thënë se të gjitha vendet tani janë angazhuar në një betejë të përbashkët kundër koronavirusit. Presidenti Venezuelës shprehu gjithashtu gatishmërinë e vendit të tij për të përfituar nga përvoja e Iranit në luftën kundër pandemisë së Covid-19.