Pasqyrimi global i lëshimit me sukses të satelitit iranian Nur
Shumica e mediave kryesore botërore, të tilla si Reuters, France Press, Rusia Al-Youm, Euronews, New York Times dhe Al Jazeera etj, mbuluan gjerësisht vendosjen në orbitë të satelitit të parë ushtarak të Republikës Islamike të Iranit, duke e cilësuar atë si një arritje të shkëlqyeshme për Iranin.
Rrjeti i lajmeve France24 njoftoi se Korpusi i Rojeve të Revolucionit Islamik të Iranit (IRGC) kish nisur një raketë satelitore në hapësirë, duke shtuar se sipas zyrtarëve të IRGC, raketa që mbante satelitin Nur kishte arritur me sukses në orbitë. "Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Iranin për përdorimin e programit të lëshimit të satelitëve si një mbulesë për zhvillimin e industrisë së raketave balistike", shtoi rrjeti i lajmeve France24. "Irani ka lëshuar me sukses në orbitë satelitin e tij të parë ushtarak," njoftoi Associated Press. Departamenti amerikan i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigjën një kërkese nga Associated Press për të komentuar për këtë veprime të Iranit. Shtetet e Bashkuara pretendojnë se lëshimi i satelitëve nga ana e Iranit shkel një prej rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB, i cili i bën thirrje Iranit të mos kryejë asnjë veprimtari në fushën e raketave balistike të afta për të bartur armë bërthamore. Irani ka deklaruar prej kohësh se nuk kërkon të prodhojë armë bërthamore dhe se lëshimet e tij satelitore dhe testet e raketave nuk kanë natyrë ushtarake. Al Jazeera gjithashtu e pasqyroi këtë zhvillim si më poshtë: Irani ka njoftuar se ka hedhur në hapësirë satelitin e parë të tij ushtarak, i cili mund të përkeqësojë tensionet me Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti i Al-Jazeera në Teheran, Zayn Basrawi, në një raport tha: "Ajo që ne dimë është se, sipas Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, ky është sateliti i parë i tyre ushtarak që u vendos në hapësirë". Ai shton: "Sateliti Nur-1 është vendosur në orbitë 425 kilometra larg Tokës. Kjo është gjysma e distancës të satelitit të parë që Rusia lëshoi në hapësirë, i quajtur Sputnik. Tani e dimë se në dekadat e para të këtij shekulli, Irani prodhoi raketat e nevojshme për të hedhur në hapësirë një satelit. Ata e arritën këtë aftësi në vitin 2009 dhe që nga atëherë kanë lëshuar një numër të madh të satelitëve". Agjensia e lajmeve Sputnik raportoi se lëshimi i satelitit, i realizuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, vjen pasi Ministri iranian i Mbrojtjes Amir Hatami në shkurt hodhi poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara për shndërrimin e raketave të satelitëve në raketa ushtarake balistike. Nisja e satelitit erdhi në një kohë tensionesh të reja mes forcave iraniane dhe amerikane në Gjirin Persik, raportoi AFP. Sidoqoftë, Agjencia e lajmeve Al-Mayadin, ndërsa pasqyroi lajmin për lëshimin e satelitit të Gardës Revolucionare në hapësirë, theksoi: Irani nuk është vetëm një fuqi rajonale, por edhe një fuqi globale. Malham Ria, drejtori i zyrës së Al-Mayadin në Teheran, në një raport për lëshimin e satelitit Nur, tha: Kjo arritje e re është shumë e rëndësishme në dy aspekte, në atë ushtarak dhe në atë hapësinor. Para së gjithash, kjo është një arritje hapësinore, sepse ky satelit ka teknologji shumë të përparuar dhe mund të ketë vizion normal dhe termik dhe mund të komunikojë lehtësisht. Mund të ndërlidhë gjithashtu bazat ushtarake në mënyrë të sigurt. Sateliti Nur-1 gjithashtu mund të identifikojë bazat ushtarake. Është e vërtetë që karburanti i raketës që transportoi satelitin Nur-1 është i ngjashëm me raketat balistike me rreze të gjatë, por teknologjia e përdorur në raketat që transportojnë satelitë është shumë komplekse, dhe teknologjia e këtyre llojeve të raketave është më komplekse sesa raketat balistike që mbartin koka luftarake. Këto teknologji janë 100% iraniane. Sateliti është gjithashtu vendas dhe 100% i prodhuar në Iran. Përvoja e Iranit në këtë fushë është shumë e mirë. Së dyti, ky satelit është një arritje shumë e rëndësishme ushtarake, sepse ai mund të rrisë fuqinë e mbrojtjes së Iranit, veçanërisht në fushën e luftës kibernetike dhe luftës në distancë dhe kontrollit të dronëve.