Presidenti Iranian thekson domosdoshmërinë e bashkëpunimit në luftën kundër Korona
Presidenti i Iranit, Hasan Ruhani, tha se një vendim i kohëve të fundit nga administrata e Presidentit amerikan Donald Trump për të ndaluar financimin e Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) në një kohë që ky organizëm botëror po lufton pandeminë e koronavirusit, pengon seriozisht përpjekjet globale për zhdukjen e virusit vdekjeprurës.
"Në një kohë që koronavirusi është shndërruar në një kërcënim të përbashkët për sigurinë ndërkombëtare dhe shëndetin publik dhe OBSH është në ballë të luftës globale kundër kërcënimit të koronavirusit, Amerika duke minuar OBSH-në po ndikon në dobësimin e luftës së përbashkët globale kundër koronavirusit, çka është një veprim i paligjshëm dhe i pajustifikueshëm", tha të hënën Presidenti iranian ndërsa iu drejtua një takimi virtual të drejtuesve të Grupit të Kontaktit të Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara(NAM). Ruhani shtoi: "Masa e nxituar dhe e papërgjegjshme e marrë nga administrata amerikane për privimin e OBSH-së nga fondet e nevojshme, duhet të konsiderohet një gabim tjetër strategjik nga kjo administratë, e cila po sfidon luftën kolektive globale kundër koronavirusit." Në një pjesë tjetër të fjalës së tij, Presidenti iranian preku sanksionet e padrejta të vendosura ndaj kombit iranian nga SHBA dhe ndikimet e tyre në luftën e Iranit kundër koronavirusit, duke thënë: "Për shumë vite dhe përmes sanksioneve të njëanshme dhe të paligjshme, Shtetet e Bashkuara jo vetëm që kanë privuar kombin e Iranit nga të drejtat e tij, por këto veprime gjithashtu paraqesin një kërcënim të madh për multilateralizmin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar." Ruhani vuri në dukje se Irani, si të gjitha vendet e tjera, në disa muajt e fundit është përpjekur të plotësojë nevojat e tij mjekësore, përfshirë ilaçet dhe pajisjet mjekësore, në mesin e pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit, por "për shkak të sanksioneve të paligjshme dhe të njëanshme të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, kompanitë që prodhojnë artikuj të tillë nuk mund t'i sigurojnë Iranit produkte të tilla në kohën e duhur. " "Përvoja globale e luftës kundër COVID-19 tregoi se është koha që ushtrimi i presionit dhe i kërcënimeve, nxitja e terrorizmit dhe rritja e presionit mbi popujt përmes terrorizmit ekonomik dhe kërcënimeve ushtarake, duhet të zëvendësohet me bashkëpunim dypalësh, shumëpalësh dhe ndërkombëtar për të luftuar realisht kërcënimet e jashtëzakonshme e të përbashkëta, "tha Ruhani. Presidenti iranian vuri në dukje se përpjekjet e Iranit për të luftuar dhe kontrolluar koronavirusin janë vlerësuar lart, madje në raste të caktuara edhe më lart se standardet ndërkombëtare, duke thënë: "Strategjitë inteligjente dhe efikase të Republikës Islamike të Iranit për të luftuar pandeminë e koronavirusit janë ende duke u zbatuar në Iran dhe rajon . "Numri i të infektuarve nga Covid-19 në gjithë botën ka shkuar në mbi 3,4milion, përkatësisht 3,646,211 sipas Worldometers. Ndërkohë numri i viktimave ka arritur në 252,407. Numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në SHBA, me 69,921 viktima, ndërsa pas saj radhiten Italia me 28,710 viktima, Britania me 28,131, Spanja me 25,100, dhe Franca me 24,760. Ndërkaq, në Kinë, vendin e origjinës së virusit, numri total i vdekjeve është 4,633. Pas shfaqjes në Wuhan të Kinës në dhjetor të vitit të kaluar, pandemia Covid-19 është përhapur në gjithë botën. Deri më tani 1,121,576 të infektuar e kanë mposhtur sëmundjen, kurse aktualisht ka mbi 2 milion raste aktive që presin të shërohen.