Venezuelë: Dronët iranianë mbi luftanijet amerikane?
Në prag të mbërritjes së anijes së gjashtë me flamur iranian në brigjet e Venezuelës, në kundërshtim të sanksioneve të njëanshme amerikane, një zyrtar i lartë i Republikës Islamike të Iranit zbuloi një incident të rrezikshëm që kishte ndodhur muajin e kaluar midis forcave iraniane dhe amerikane.
Mohsen Rezai, sekretari i Këshillit Përcaktues të Interesave të Iranit, tha të dielën, 21 Qershor, se një incident i rrezikshëm kishte ndodhur midis forcave amerikane dhe iraniane, kur cisternat e naftës nga Irani po lundronin drejt Venezuelës. "Forcat Amerikane donin të bllokonin rrugën e anijeve iraniane, por Irani u tregua i shpejtë duke fluturuar dronët e tij mbi luftanijet amerikane dhe ky paralajmërim bëri që forcat amerikane të lironin rrugën e tankerëve të naftës," tha Mohsen Rezai. Më parë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Iraniane, gjenerali Muhamed Bakeri, kishte zbuluar se forcat amerikane kishin bërë disa përpjekje për të parandaluar cisternat iraniane të naftës që të arrinin në Venezuelë.