Irani dhe Kina dënojnë praktikat shantazhuese të SHBA
(last modified Wed, 24 Jun 2020 19:35:05 GMT )
Qershor 24, 2020 21:35 Europe/Tirane
  • Irani dhe Kina dënojnë praktikat shantazhuese të SHBA

Irani dhe Kina kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj praktikave shantazhuese të SHBA-së dhe politikën e saj të unilateralizmit, duke shprehur mbështetjen e tyre të plotë për multilateralizmin dhe parimet e ligjit ndërkombëtar.

Ministri i Jashtëm iranian Muhamed Xhavad Zarif dhe homologu i tij kinez, Wang Yi, i bënë deklaratat në një video-konferencë të Mërkurën, gjatë së cilës ata diskutuan lidhjet bilaterale, zhvillimet më të fundit rreth marrëveshjes shumëpalëshe bërthamore të Iranit dhe pandemisë së koronavirusit. Diplomati më i lartë iranian, nga ana e tij, dënoi ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara dhe të disa vendeve perëndimore në punët e brendshme të Kinës, duke thënë se ky veprim do të dobësonte stabilitetin global. Zarif gjithashtu vlerësoi performancën e suksesshme të Kinës në luftën kundër koronavirusit, dhe tha se mbështetja e ndërsjellë e dy kombeve në këtë fushë është një mundësi e re për të treguar solidaritet, dhe vlerësoi ndihmën e qeverisë kineze për vendin e tij në betejën me pandeminë. Duke ju referuar marrëdhënieve gjithëpërfshirëse strategjike midis dy vendeve, Zarif shprehu shpresën se së shpejti do të nënshkruhet një dokument gjithëpërfshirës bashkëpunimi midis dy vendeve. Duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve tregtare, Zarif gjithashtu sugjeroi që të sigurohen lehtësira të veçanta që biznesmenët e të dy vendeve të udhëtojnë me siguri në kushtet e epidemisë së koronavirusit. Ministri i jashtëm kinez, nga ana e tij, falënderoi Iranin për shprehjen e simpatisë dhe solidaritetit me Kinën dhe ofrimin e ndihmës për popullin kinez në luftën kundër koronavirusit. Wang tha se "Kina kundërshton çdo përpjekje për të ndryshuar kushtet e marrëveshjes shumëpalëshe bërthamore dhe të Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të KB" që ratifikon marrëveshjen. Ai përsëriti gjithashtu se Shtetet e Bashkuara "nuk kanë të drejtë" të përdorin mekanizmat e parashikuar në marrëveshjen bërthamore pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja.

 

Tags