Procesi i Astanasë, garantues i paqes, pavarësisë dhe sovranitetit kombëtar në Siri
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit në uebinarin e procesit të Astanasë të mbajtur në Teheran deklaroi se procesi i Astanasë është e vetmja rrugë për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të krizës në Siri.
Presidenti i Republikës Islamike të Iranit në kuadër të uebinarit të mbajtur dje për procesin e Astanasë, i është drejtuar presidentit të Rusisë dhe të Turqisë përkatësisht Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan dhe tha: Procesi i Astanasë ka pasur suksese të mira dhe ruajtja dhe zhvillimi i këtij procesi nga tre vendet mikë dhe fqinje është i nevojshëm. Kriza në Siri filloi në vitin 2011 me pushtimin masiv të territoreve siriane nga grupet terroriste të mbështetura nga Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, duke përfshirë Turqinë, për të ndryshuar ekuacionet rajonale në favor të regjimit sionist. Mbi 330 mijë persona janë vrarë në Siri dhe miliona të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, që nga fillimi i konfliktit në Siri në mars të vitit 2011. Ushtria siriane duke marrë ndihmë nga këshilltarët e Republikës Islamike të Iranit dhe me mbështetjen e Rusisë, i ka dhënë fund dosjes së pranisë së ISIS në këtë vend. Bisedimet në Astana janë zhvilluar në mënyrë paralele me bisedimet e paqes në Gjenevë, që sponsorizohen nga OKB-ja. Presidenti iranian Hasan Ruhani i ka denoncuar si çnjerëzore sanksionet e SHBA kundër Sirisë, ndërsa premtoi mbështetjen e palëkundur të Teheranit për Damaskun. "Në përputhje me sanksionet e mëparshme dhe përpjekjet e tij të dëshpëruara për të bërë presion mbi popullin sirian, regjimi amerikan ka imponuar mbi Sirinë sanksione të reja të njëanshme dhe çnjerëzore, të njohura si ligji Cezar, me qëllim të arritjes së qëllimeve të tij jolegjitime politike", tha Ruhani në një konferencë virtuale me homologët e tij rus dhe turk, Vladimir Putin dhe Rexhep Tajip Erdogan, të Mërkurën si pjesë e takimit të Astanasë për situatën në Siri, raportoi IRNA. Ruhani tha se sanksionet amerikane erdhën ndërsa populli sirian, ashtu si pjesa tjetër e botës po përballet me pandeminë e koronavirusit, e cila ka krijuar probleme të shumta shëndetësore dhe ekonomike në vend, prandaj nevojitet qasje në artikuj mjekësorë dhe farmaceutikë për të luftuar virusin dhe për të lehtësuar vuajtjet e popullit sirian. "Veprimi i regjimit amerikan është terrorizëm ekonomik që shkel ligjin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, dhe sovranitetin e kombeve," shtoi ai. Presidenti iranian tha se ndërsa dënon çdo sanksion ndaj çdo kombi në botë, veçanërisht Sirisë, Republika Islamike e Iranit thekson se do të vazhdojë të mbështesë popullin sirian dhe qeverinë e tij legjitime me forcë më të madhe, dhe se veprimet e paligjshme dhe çnjerëzore nga SHBA nuk do të dëmtojë vullnetin e vendeve mike dhe aleate të Sirisë për të mbështetur Damaskun. "Shtetet e Bashkuara duhet të sigurohen që atë që nuk e kanë arritur përmes presionit ushtarak dhe përdorimit të grupeve terroriste nuk mund ta arrijnë përmes mjeteve të presionit ekonomik dhe ndëshkimit të popullit sirian," shtoi Ruhani. Duke e përshkruar procesin e Astanasë si e vetmja mënyrë e zbatueshme për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të krizës siriane, Ruhani tha se Irani, Rusia dhe Turqia, si vendet garantuese të procesit të Astanasë, mbështesin gjithnjë dialogun sirian-sirian në kuadër të marrëveshjeve të arritura në procesin e Astanasë, dhe theksoi vendosmërinë e tyre për të luftuar grupet terroriste ISIS dhe al-Kaeda dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre në të gjithë rajonin, përfshirë Sirinë. Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e përpjekjeve kundër terrorizmit të SHBA, e cila vrau gjeneral-lejtnant Kasem Sulejmanin, një nga komandantët kryesorë në vijën e parë të frontit të luftës kundër terrorizmit. "Amerika që pretendon se po lufton terrorizmin, martirizoi heroin e luftës kundër terrorizmit në rajon, së bashku me shokët e tij ... ky është tregues i pretendimit të rremë të regjimit amerikan për luftën kundër terrorizmit," tha ai.