Ruhani: Siguria rajonale dhe stabiliteti është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit rajonal
Presidenti i Iranit Hasan Ruhani theksoi se vendosja e sigurisë në rajon është e mundur vetëm përmes bashkëpunimit midis të gjitha vendeve të rajonit.
"Vendosja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon është e mundur vetëm në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe është e sigurt që mund të sjellim kushte më të mira në rajon duke zgjeruar bashkëpunimin," tha ditën e enjte Ruhani në një telefonatë me Sheik Tamim bin Hamad Al Thani, Emir i Katarit. Presidenti i RII gjithashtu uroi Emirin e Katarit me rastin e Kurban Bajramit, që është një nga festat më të mëdha islamike. Duke folur mbi lidhjet Teheran-Doha, Ruhani tha se "si dy fqinjë të vjetër", marrëdhëniet mes dy vendeve qëndronin në një nivel pozitiv, duke insistuar se Republika Islamike nuk njeh asnjë kufi në zgjerimin e marrëdhënieve të saj me Katarin si një vend miqësor dhe vëllazëror. Presidenti iranian gjithashtu shprehu shpresën se zyrtarët e të dy vendeve do të takohen personalisht në të ardhmen e afërt me përmirësimin e pritur të situatës së përgjithshme, duke ju referuar kufizimeve që janë imponuar nga pandemia e koronavirusit. Kreu i shtetit të Katarit gjithashtu e uroi kombin dhe qeverinë iraniane me rastin e festës së Kurban Bajramit dhe uroi që rasti të sjellë "të mira dhe bekime" për tërë Umetin mysliman. Ai theksoi nevojën për zhvillimin e lidhjeve mes dy vendeve, duke thënë se pa dyshim Doha i ka kushtuar rëndësi promovimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Teheranin.