Vazhdon konflikti mes atlantikëve dhe Moskës
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i16999-vazhdon_konflikti_mes_atlantikëve_dhe_moskës
Tensionet mes Rusisë dhe NATOS vazhdojnë. Një nga vendet që luan një rol të drejtpërdrejtë në acarimin e këtyre tensioneve është Polonia.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 07, 2016 13:07 Europe/Tirane
  • Vazhdon konflikti mes atlantikëve dhe Moskës

Tensionet mes Rusisë dhe NATOS vazhdojnë. Një nga vendet që luan një rol të drejtpërdrejtë në acarimin e këtyre tensioneve është Polonia.

Gjatë javëve të fundit ka pasur një rritje të nivelit të konfliktit mes Moskës dhe NATO-s. Aleanca atlantiko-veriore NATO ka nisur stërvitjet më masive ndonjëherë në historinë e saj, këtë herë në Poloni, në një situatë kur vendet e Europës Qendrore dhe Lindore janë duke kërkuar më shumë garanci për sigurinë. Stërvitja e quajtur “Anaconda 16” nisi këtë të hënë në Varshavë dhe pritet të përfshijë rreth 31 mijë trupa ushtarake nga Polonia, Shtetet e Bashkuara dhe 17 vendet e tjera anëtare të NATO-s, përfshi këtu edhe Shqipërinë, por edhe nga 5 kombe partnere. Stërvitja masive po zhvillohet vetëm pak javë përpara samitit deciziv të NATO-s që do të mbahet gjithashtu në Varshavë, e ku pritet të vendoset mbi vendosjen e një numri të konsiderueshëm të trupave të NATO-s, por edhe mjeteve të rënda, në bazat e saj në Poloni dhe shtetet e Baltikut. Janë pikërisht këto, shtetet më të shqetësuara pas konfliktit të armatosur në Ukrainë, ku Moska mbështet separatistët prorusë. Stërvitja do të vijojë deri më 16 qershor dhe pritet të testojë bashkëpunimin mes komandave aleate dhe ushtarëve në kundërpërgjigje të kërcënimeve ushtarake, kimike dhe kibernetike. Ministri i jashtëm i Rusisë, është shprehur i shqetësuar në lidhje me veprimet e NATO-s. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters nga Moska, Sergei Lavrov, ministër i jashtëm i Rusisë, të hënën në një konferencë të përbashkët për media me Timo Soini, ministër i jashtëm i Finlandës, ka thënë se vendi i tij është i shqetësuar për zhvillimet e NATO-s dhe lëvizjet infrastrukturore të kësaj organizate në drejtim të kufijve të Rusisë dhe vendi i tij do të detyrohet të ndërmarrë 'masa adekuate' për të ruajtur sigurinë. Ministri i jashtëm i Rusisë tha se infrastruktura ushtarake e NATO-s në kufijtë e Rusisë dhe tërheqja e vendeve tjera në aktivitete ushtarake të këtij blloku është shqetësuese. Sipas ministrit të jashtëm të Rusisë, Moska ka të drejtë absolute për të dhënë një përgjigje adekuate ndaj kërcënimeve aktuale. Zv/kryetari i komisionit për çështje mbrojtëse dhe të sigurisë në Këshillin Federal të Rusisë, deklaroi se NATO po krijon kushtet e duhura për ta goditur Moskën në nivel global. Ai shtoi se forcat e armatosura të Rusisë dhe pajisjet ushtarake do të përqendrohen dhe dislokohen në zona të caktuara duke marrë parasysh aktivitetin e NATO-s. Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se Franc Klintsheviç ka kritikuar vazhdimin e planeve të NATO-s për zgjerimin e pranisë së saj në vendet fqinjë të Rusisë. Gazeta zyrtare "Rossiyskaya Gazeta" duke cituar Franc Klintsheviç, zv/kryetari komisionit për çështje mbrojtëse dhe të sigurisë në Këshillin Federal të Rusisë, ka shkruar: "Aktualisht po vërejmë se pakti i NATO-s po krijon kushtet e duhura për ta goditur Moskën në nivel global dhe këtë program po e ndjek në shumë aspekte. Prandaj duke marrë parasysh vazhdimin e veprimeve të NATO-s kundër Rusisë, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Rusisë po vëzhgon situatën me vëmendje të lartë dhe po merr masat përkatëse në këtë drejtim. Forcat e armatosura të Rusisë dhe pajisjet ushtarake do të përqendrohen dhe dislokohen në zona të caktuara duke marrë parasysh aktivitetin e NATO-s". Ky funksionar i Rusisë në vazhdim gjithashtu ka shtuar se nuk ekziston kurrfarë shqetësimi në lidhje me aktivitetet ushtarake të NATO-s në afërsi të kufijve të Rusisë, për arsye se Aleanca Veri-Atlantike para se të ndjek qëllime armiqësore, synon të krijojë tensione me Rusinë. Edhe Përfaqësuesi i Rusisë në Aleancën veti-atlantike (NATO) ka paralajmëruar në lidhje me vazhdimin e aktiviteteve të NATO-s në Detin Baltik. Sipas agjencisë së lajmeve Itartas, Aleksandër Groshko, të premten ka njoftuar se shtimi i aktiviteteve të NATO-s në vendet në afërsi të Detit Baltik do të pasojë me reagimin politik dhe ushtarak të Rusisë. Nga ana tjetër, Polonia ka bërë të ditur se në shtator do të nisë të rekrutojë një forcë të re paraushtarake të mbrojtjes, prej 35,000 vetash, për shkak të tensioneve me Rusinë. Ministri i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz, ka thënë se pozitat e larta në Forcën e Mbrojtjes Territoriale tashmë janë vendosur. Forca do të ketë vullnetarë civilë, me aftësi ushtarake. Forca synon t’i kundërvihet Rusisë, nëse ajo tenton të ndërhyjë sikurse në Ukrainë. NATO po ashtu planifikon të përforcohet në Poloni, por detajet do të bëhen të ditura gjatë samitit të aleancës në Varshavë, më 8 dhe 9 korrik.