Gjermania fiton, Mustafi shënon
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i17581-gjermania_fiton_mustafi_shënon
Përfaqësuesja e Gjermanisë ka arkëtuar pikë të plota në ndeshjen e parë të fazës grupore të ‘Euro 2016’ duke e mposhtur Ukrainën me rezultat 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në Lille.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 12, 2016 18:35 Europe/Tirane
  • Gjermania fiton, Mustafi shënon

Përfaqësuesja e Gjermanisë ka arkëtuar pikë të plota në ndeshjen e parë të fazës grupore të ‘Euro 2016’ duke e mposhtur Ukrainën me rezultat 2-0 në ndeshjen e zhvilluar në Lille.

Ishte një gjysmë e parë mjaft interesante nga të dyja skuadrat që garojnë në Grupin C. Ukrainasit e nisën më mirë sfidën, me Neuer që intervenoi në një rast të mirë të Konopylankas. Me kalimin e minutave, gjermanët e morën kontrollin dhe arritën te goli i epërsisë. Rezultati u zhbllokua në minutën e 19-të. Pas një harkimi të Toni Kroos nga gjuajtja e lirë, Shkodran Mustafi kërceu më së larti për të shënuar me kokë. Ky është goli i parë i mbrojtësit shqiptar me përfaqësuesen e Gjermanisë në turnetë e mëdha. Njëherësh, ai është shqiptari i parë që shënon në një Evropian. Rastet vazhduan dhe ukrainasit u përpoqën të barazonin duke krijuar presion të vazhdueshëm. Nga rastet përmendim largimin e topit nga Boateng prej vijës fatale.Në gjysmën e dytë, Die Mannschaft nuk e lejuan kundërshtarin të rrezikonte duke dominuar në posedim dhe duke krijuar raste të tjera shënimi. Dhe pak minuta pasi hyri në lojë, Bastian Schweinsteiger u bë protagonist me një gol të bukur në minutat shtesë (90’+2). Gjermania ngjitet në krye të Grupit C me pikë të barabarta me Poloninë që në ndeshjen e parë e mposhti Irlandën e Veriut.