Procesi i daljes së Britanisë nga BE dhe kostoja e tij
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i17704-procesi_i_daljes_së_britanisë_nga_be_dhe_kostoja_e_tij
Më pak se dy javë para se britanikët të vendosin nëse do të qëndrojnë ose jo në BE, sondazhet e reja sugjerojnë një rritje të euroskepticizmit rreth Europës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 13, 2016 16:48 Europe/Tirane
  • Procesi i daljes së Britanisë nga BE dhe kostoja e tij

Më pak se dy javë para se britanikët të vendosin nëse do të qëndrojnë ose jo në BE, sondazhet e reja sugjerojnë një rritje të euroskepticizmit rreth Europës.

Megjithatë, sipas raportit të Pew Research Center një shumicë e lehtë prej 51% në 10 vende të Bashkimit Europian, vazhdon të jete pro-Unionit, ndërkohë 42% e të intervistuarve duan që vendet e tyre të kenë më shumë pushtet. Ndërkohë një tjetër sondazh i zhvilluar nga TNT sugjeron se shumica e europianëve duan që Britania e Madhe të qëndrojë në BE. Sipas tyre, situata ekonomike në kontinentin e vjetër do të përkeqësohet në rastin e një Brexit-i.Të dhënat bien në kundërshtim me hulumtimet e zhvilluara mes britanikëve që nxorën në pah se 41% e të intervistuarve mbështesnin qëndrimin në bllokun prej 28 anëtarësh, ndërsa 43% ishin në favor të shkëputjes. Britanikët do të thonë fjalën e tyre lidhur me çështjen më 23 qershor. Megjithatë 27 shtetet anëtare nuk kanë ndër mend t'ia bëjnë aq të lehtë Britanisë së Madhe largimin nga BE-ja. Procesi do të jetë i gjatë dhe i vështirë dhe nuk dihet se sa mund të zgjasë. Komisioni i BE-së dhe Këshilli i Ministrave të BE-së, nuk shprehen zyrtarisht për skenarë të mundshëm, nëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian. Nuk ka as një plan B, edhe as mendime se si duhet të negociohet largimi, tha një zëdhënës. Paragrafi 50 në Traktatin Evropian të Lisbonës thotë vetëm, se shteti anëtar duhet të paraqesë me shkrim synimin për t'u tërhequr nga BE-ja, dhe pastaj brenda dy vjetësh duhet të negociohen hollësitë. Kryeministri anglez David Cameron tha se ndikimi i Britanisë në Bashkimin Evropian do të jetë më i fortë nëse votohet për të qëndruar në bllok në referendumin e 23 qershorit. Një prej sondazheve të fundit të publikuar të shtunën i dha avantazh me dy pikë mbështetësve të idesë për qëndrim të Britanisë në union, teksa sondazhet e tjera më të hershme kanë treguar mbështetësit e Brexit në avantazh. Nga ana e saj, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se qëndrimi në Bashkimin Europian i siguron Britanisë ekonomi të fortë dhe prosperitet. ''Ne duam një Britani të fortë ekonomikisht dhe me prosperitet në Bashkimin Europian”, u shpreh Merkel. Ndërkohë, Nigel Farage, luftëtar për Brexit-in, dëshiron që një Britani e Madhe sovrane të vazhdojë edhe më tej tregtinë me pjesën tjetër të Evropës, por sigurisht pa paguar edhe për Evropën. Por, ministri i Financave i Gjermanisë Wolfgang Schaeuble, reagoi duke deklaruar se në rast të një “Brexit”, Mbretëria e Bashkuar nuk do të ketë më akses në tregun e përbashkët europian. “Britania jashtë BE-së por brenda tregut të përbashkët europian është një opsion që nuk do të funksionojë. Nuk mund t’i kërkohet një vendi të respektojë rregullat e një grupi nga i cili dëshiron të tërhiqet”, ka deklaruar Schaeuble. Shefi i Financave gjermane saktëson se, “nëse mazhoranca e britanikëve zgjedh të votojë pro Brexit, atëherë do të jetë një vendim kundër tregut të përbashkët”. “Të jesh brenda do të thotë të jetë brenda, të jesh jashtë do të thotë të jesh jashtë. Ne kemi respektin maksimal për sovranitetin e popullit britanik”, ka vijuar Schaeuble. Ministri gjerman ka shtuar se, nëse do të jetë e nevojshme, Europa do të punojë edhe pa bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar. Deklaratat e Schaeuble duken si një paralajmërim serioz për koston ekonomike që do të ketë dalja eventuale e Britanisë nga BE.