Beteja mes parlamentit gjerman dhe Erdoganit
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i17920-beteja_mes_parlamentit_gjerman_dhe_erdoganit
Aprovimi i rezolutës që e shpall gjenocid vrasjen masive të armenëve nga otomanët gjatë Luftës së Parë Botërore, i miratuar nga “Bundestag”-u gjerman, krijoi një situatë të tensionuar në radhët e politikës turke.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 15, 2016 12:06 Europe/Tirane
  • Beteja mes parlamentit gjerman dhe Erdoganit

Aprovimi i rezolutës që e shpall gjenocid vrasjen masive të armenëve nga otomanët gjatë Luftës së Parë Botërore, i miratuar nga “Bundestag”-u gjerman, krijoi një situatë të tensionuar në radhët e politikës turke.

Ankaraja tërhoqi ambasadorin e saj nga Gjermania. Ministria e Jashtme turke tha se, vendimi ishte “i turpshëm”, duke e cilësuar rezolutën si shembull të injorancës dhe mosrespektimit të ligjit. Ndërsa nga ana e saj, Kancelarja Angela Merkel u mundua të zbuste reagimin e Ankarasë. “Ka shumë gjëra që lidhin Gjermaninë me Turqinë, edhe nëse ne ndajmë mendime të ndryshme për çështje të caktuara. Përmasat e gjëra të lidhjeve tona strategjike dhe miqësisë sonë janë të mëdha”, tha Angela Merkel. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Qeveria armene e mirëpriti aprovimin e kësaj rezolute nga ana e Parlamentit gjerman. Për analistët, ky vendim u ndërmor në një moment delikat, pasi më shumë se asnjëherë, jo vetëm Gjermania por e gjithë Europa ka nevojën e Turqisë për të reduktuar fluksin e refugjatëve sirianë. Ankaraja njihet për qëndrimet e saj ekstreme, kur i cenohen interesa kombëtare. Këtë e konfirmoi edhe Presidenti i vendit Rexhep Tajip Erdogan, i cili tha se tërheqja e ambasadorit të tyre nga Gjermania është vetëm fillimi. Kryetari i parlamentit gjerman (Bundestagut) dhe kryetari i parlamentit evropiane kanë kritikuar deklaratat e presidentit turk në lidhje me deputetë turq në parlamentin gjerman. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Norbert Lambert, kryetar i parlamentit gjerman të enjten ka kritikuar komentet e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, i cili ka hedhur akuza të ndryshme ndaj një grupi deputetësh në Parlamentin gjerman për shkak të miratimit të rezolutës e cila e njohu si gjenocid vrasjen e 1.5 milionë të krishterëve armenë gjatë vitit 1915 nga Perandoria Osmane. Ai ushtroi në veçanti presion ndaj deputetëve me origjinë turke në Bundestag duke thënë se këta të fundit do të marrin kundërpërgjigjen e merituar. Më tej, Kreu i Shtetit ka kërcënuar se Turqia do të hakmerret ndaj Gjermanisë, në rast se kjo e fundit nuk do të tërheqë rezolutën e miratuar më herët. Edhe kryetari i PE Martin Shulz ka dënuar deklaratat e Erdogan ndaj parlamentit gjerman, duke thënë se këto deklarata janë të papranueshme. Nga ana tjetër, ekspertët kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve diplomatike mes Turqisë dhe Gjermanisë mund të rrezikojë implementimin e marrëveshjes së emigrantëve, që është firmosur mes Ankarasë dhe Bashkimit Europian. Edhe pse nxitoi ta cilësonte një “gabim historik” votën e Bundestagut gjerman, që e njeh masakrën e armenëve në 1915-n si gjenocid, kryeministri turk u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk do të cënohen. Askush nuk duhet të presë një përkeqësim të beftë të marrëdhënieve tona për shkak të një vendimi të tillë, deklaroi Binali Yildirim. Turqia tërhoqi një ditë më parë ambasadorin e saj në Gjermani, pas aprovimit të rezolutës që tërboi Ankaranë. Ajo premtoi gjithashtu të ndërmarrë edhe hapa të tjerë të nevojshëm në këtë situatë. Në rezolutën e miratuar thuajse njëzëri, me vetëm një votë kundër e një abstenim, thuhet se vrasjet e armenëve dhe të minoriteteve të tjera të krishtera para 100 vitesh kanë qenë sistematike dhe të qëllimshme, gjë që e justitifikon kategorizimin e tyre si “gjenocid”. Policia gjermane ka marrë nën mbrojtje të veçantë 11 deputetët gjermanë me origjinë turke, të cilët janë kërcënuar me vdekje pasi ofruan mbështetjen e tyre për njohjen e masakrës së 1915-s kundër armenëve nga osmanët turq si gjenocid.

Ministria e Jashtme gjermane ka paralajmëruar deputetët me origjinë turke të mos udhëtojnë në Turqi, duke argumentuar se siguria e tyre nuk mund të garantohet atje. Lëvizja e fundit e Parlamentit gjerman shkaktoi irritimin e qeverisë turke, e cila nuk pranon kurrsesi ta njohë atë masakër si gjenocid. Deputetët gjermanë me origjinë turke, të cilët votuan pro rezolutës, janë përballur me opinione negative nga qeveria turke dhe nga komuniteti jo i vogël i turqve në Gjermani.