Vizita e presidentit kinez në Serbi
Presidenti kinez Xi Jinping nisi të premten vizitën shtetërore në Beograd, ndërsa Kina po përpiqet të avancojë më tej miqësinë tradicionale me Serbinë, duke forcuar lidhjet ekonomike me vendin ballkanik.
Kjo është hera e parë në 32 vite që një udhëheqës kinez viziton Serbinë, ndërsa është gjithashtu vizita e dytë e Jinping në Europën Qendrore dhe Lindore në më pak se 3 muaj. Gjatë qëndrimit treditor në Beograd, presidenti kinez u takua me homologun e tij Tomislav Nikoliç, si dhe politikanë të tjerë serbë, për të diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe, të ashtuquajturën nisma “një brez, një rrugë”, si dhe për çështje të ndjeshme globale e rajonale të interesit të përbashkët. Presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç, për t’i dhënë një shtysë bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe atij mes shtetit komunist dhe Europës qendrore e asaj lindore në tërësi. Më herët gjatë ditës, Jingping firmosi bashkë me homologun serb Tomisllav Nikoliç një deklaratë të përbashkët që parashikon ngritjen e marrëdhënieve bilaterale në nivelin e një partneriteti të ngushtë strategjik. Gjatë takimit me Vuçiç, kreu i shtetit kinez i tha shefit te ekzekutivit serb se ky vendim injekton fryme të re në relatat edhe kështu miqësore mes Pekinit dhe Beogradit. Ai kërkoi që të dyja palët të lëvizin ngadalë drejt një shtimi të bashkëpunimit në lidhje me projektet madhore të infrastrukturës, duke theksuar në mënyrë të veçantë se Kina është e gatshme të punojë me Serbinë për ta afruar datën e vënies në funksion të hekurudhës Hungari-Serbi. Të dy vendet, sipas tij, duhet të përshpejtojnë gjithashtu strategjinë e zhvillimit kombëtar të Serbisë, e të sigurohen që marrëveshja e uzinës së çelikut Smederevo dhe të tjera projekte të rëndësishme të vihen në jetë duke respektuar pritshmëritë në mënyrë që të krijojnë vende të reja pune, të përmirësojnë jetesën e njerëzve, të promovojnë rritjen ekonomike të Serbisë e të krijojnë një situatë nga e cila në fund të përfitojnë të gjitha palët. Kjo është e para vizitë e një presidenti kinez në Serbi prej 32 vjetësh. Pas ndalesës në Beograd, Xi do të udhëtojë drejt Polonisë dhe Uzbekistanit. Presidenti serb Tomislav Nikoliç i ka të larta pritshmëritë nga mbërritja e presidentit kinez Xi Jinping dhe shprehet se e çmon shumë miqësinë me liderin komunist, të cilit ishte ai vetë që ia drejtoi ftesën për vizitë. Kjo do të jetë e para herë në mbi gjysmë shekulli që një president i Kinës viziton Serbinë. “Siç e dini, ne serbët nuk e vlerësojmë miqësinë në bazë të përfitimeve ekonomike. Miqësia për ne është shumë më tepër se aq. Miqtë e mi në perëndim do të më pyesnin se sa marrëveshje bashkëpunimi do të firmosen, sa mallra do të tregtohen e sa investime do të përfitojmë. Përgjigja ime është se si Serbia, ashtu edhe Kina do ta konsiderojnë miqësinë si investimin më të madh nga të gjithë”, tha Nikoliç.