Aktivisti britanik pretendon për lidhje mes vrasjes së Cox dhe referendumit
Aktivisti politik britanik Eduard Mortimer, pretendon se ekzistojnë lidhje indirekte ndërmjet vrasjes së politikanes britanike Jo Cox e cila u vra javën e kaluar, për kthimin e votuesve në referendumin për BE.
Më poshtë do të japim disa pjesë të intervistës së Eduart Mortimer me të cilin e ka zhvilluar agjencia e lajmeve IRNA.
A është në interes të Britanisë për të qëndruar në Evropë apo jashtë saj?
Mortimer: Do të ishte më e preferueshme nëse ne qëndrojmë. Unë jam shumë i shqetësuar me atë se çka do të ndodhë nëse ne dalim nga BE. Unë mendoj se dalja nga BE shumë lehtë mund të çoje në largimin e Skocisë nga Britania e Madhe dhe do të shkaktojë probleme me Irlandën Veriore, sepse jugu do të qëndronte edhe mëtej në BE, por veriu për sa kohë që është pjesë e Britanisë së Madhe do të jetë jashtë BE. Unë gjithashtu mendoj se kjo mund të jetë e keqe për Evropën dhe ndoshta për pjesën tjetër të botës: Për shkak se kjo do të jetë një inkurajim për forcat nacionaliste dhe populiste në pjesë të ndryshme të Evropës, edhe në SHBA.
Kampi për daljen e Britanisë nga BE është duke deklaruar se ata mund ta marrin kontrollin e kufijve të Britanisë së Madhe dhe kështu ka më pak rrezik. Cili është mendimi juaj?
Mortimer: Unë mendoj se ky është një argument i rremë, sepse traktati që shfuqizon kufijtë e brendshëm, traktati i Shengenit, Britania nuk është palë në këtë traktat. Prandaj, kur të udhëtoni në vende të tjera evropiane, si një shtetas britanik, duhet të merret pasaporta me vete, si dhe njëjtë edhe kur të ktheheni në vend. Pra, ne kemi kontroll mbi kufijtë tanë. Por çështja nuk është me të vërtetë në lidhje me lëvizjen, ajo është në lidhje me të drejtën e njerëzve nga vende të tjera evropiane që do të vijnë dhe të jetojnë përgjithmonë dhe të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Numri i vogël i njerëzve, sidomos i atyre të Evropës Lindore që kanë ardhur për të jetuar në Britani të Madhe në dhjetë vitet e fundit apo edhe më shumë, kanë luajtur një rol shumë të dobishëm në ekonominë tonë. Por ne jemi një ishull relativisht i vogël dhe nuk kemi arritur të ndërtojmë shtëpi të mjaftueshme për popullatën tonë dhe kështu një pjesë e popullit britanik kanë filluar të frikësohet, duke thënë se shumë të huaj që vijnë këtu janë duke na zënë vendin neve. Unë mendoj se kjo është e gabuar, migrimi është një e drejtë në botën e sotme dhe ne duhet të gjejmë mënyra për t'a menaxhuar atë.
Sa është relevante vrasja e Jo Cox me referendumin?
Mortimer: Është shumë e vështirë për të thënë, kjo ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në lëvizje të përgjithshme dhe atmosferën në vend.
Kjo ndodhi vetëm një javë para referendumit dhe kur fushata ka arritur kulmin dhe çështja e emigracionit ishte bërë aq qendrore në argumentimin publik dhe një sondazh që ka sugjeruar se ka pasur një ritëm drejt argumentimeve pro-daljes; pastaj papritmas një gjë e tmerrshme ka ndodhur dhe fushata u pezullua për tre ditë dhe kështu të gjithë janë duke thënë se ne duhet të jemi më të qetë në lidhje me këtë për të parë se çfarë është përfshirë në këtë çështje. Unë nuk mendoj se mund të sugjerohet se kjo ka pasur direkt rezultat në fushatë, por i ka ndihmuar njerëzve ta vënë atë në proporcion dhe ka shkaktuar lëkundje në këtë drejtim. Unë mendoj se është shumë e vështirë të dihet nëse kjo është shkaku i vërtetë i asaj që ndodhi, sepse në të njëjtën ditë, u shfaq një poster i UKIP që tregoi një numër shumë të madh të njerëzve- të cilët dukeshin në foto në kufirin slloven vitin e kaluar duke ardhur në Evropë dhe aty thuhet "pika e shkëputjes". Kjo krijoi përshtypjen se fushata për daljen e Britanisë nga BE dëshiron t'i mbajë jashtë refugjatët dhe mendoj se kjo kishte tone raciste në të. Natyrisht që këto dy ngjarje nuk ishin të lidhura me njëra-tjetrën, por ato ndodhën të njëjtën ditë.