Britania në prag të referendumit për daljen nga BE
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i18808-britania_në_prag_të_referendumit_për_daljen_nga_be
Përfaqësuesit kryesorë nga të dyja palët me qëndrime të kundërta në referendumin britanik janë përplasur në një debat të drejtpërdrejtë në “Wembley” në ditën e fundit të fushatës.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 22, 2016 18:26 Europe/Tirane
  • Britania në prag të referendumit për daljen nga BE

Përfaqësuesit kryesorë nga të dyja palët me qëndrime të kundërta në referendumin britanik janë përplasur në një debat të drejtpërdrejtë në “Wembley” në ditën e fundit të fushatës.

“Debati i Madh”, u zhvillua në më shumë se dy orë me pyetje-përgjigje mbi emigracionin, ekonominë dhe sovranitetin. Udhëheqësja e konservatorëve skocezë, Ruth Davidson u përplas vazhdimisht me Boris Johnsonin, ish-kryebashkiak i Londrës, përballë një audience prej mijëra ndjekësish, ndërsa akuzoi palën prolargimit nga BE-ja si “gënjeshtare”. Ndërsa Johnson u kundërpërgjigj me faktin se kampi proqëndrimit “po vijon ta rrënojë vendin”. Votuesit britanikë do t’u drejtohen kutive të votimit ditën e enjte që nga ora 7 e mëngjesit, e me vendimmarrjen e tyre do të përcaktojnë nëse Britania e Madhe do të qëndrojë apo do të largohet nga Bashkimi Europian. Sondazhet e realizuara së fundmi për çështjen Brexit kanë treguar se fushata e qëndrimit dhe ajo e daljes do të ndahen nga një diferencë e ngushtë votash. Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker u ka dhënë mesazhin e tij britanikëve. “Kush voton jashtë është jashtë. U them votuesve britanikë se nuk do të ketë asnjë negociatë tjetër veç asaj që u mbyll në shkurt, kur kryeministri David Cameron mori maksimumin e asaj që mund të merrte dhe ne i dhamë maksimumin që mund t’i jepej”, ka thënë Juncker. Juncker ka theksuar se, që nga fillimi i fushatës elektorale për referendumin ka mbrojtur këndvështrimin se është e nevojshme një marrëveshje e drejtë dhe e barabartë me Britaninë e Madhe. “Dhe është pikërisht ajo që kemi bërë në samitin e shkurtit. KE nuk luan asnjë rol në votimin e nesërm, por është diçka pozitive nëse Britania qëndron në BE. Gjithësesi, le të presim rezultatin”, ka thënë Juncker. Gjithashtu reagoi edhe kreu i BQE. “Banka Qendrore Europiane është gati t’u bëjë ballë të gjitha urgjencave”. Kështu ka deklaruar presidenti Mario Draghi, duke iu referuar pasojave që mund të rrjedhin nga referendumi britanik. “Rimëkëmbja e zonës euro ka siguruar një hap përpara që nga fillimi i vitit dhe pritet që të vijojë me hapa të moderuar, por konstante, e mbështetur nga një kërkesë e brendshme solide dhe nga një aplikim i politikave të duhura në ekonominë reale”, ka deklaruar Draghi. Duke folur në Parlamentin Europian, presidenti i BQE ka theksuar se dinamikat e inflacionit mbeten thuajse të palëvizshme dhe niveli do të mbetet i ulët në muajt e ardhshëm. Ndërkohë, kreu i euroskeptikëve, Nigel Farage ka bërë apelin e tij final në prag të referendumit, duke u shprehur se nesër do të jetë “dita e pavarësisë” për britanikët. Në një fjalim të mbajtur në qendër të Londrës, Farage e ka cilësuar Bashkimin Europian “kartelin e bizneseve të mëdha”, që i pret krahët ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar. “Procesi shkrirjes së Unionit është i pashmangshëm. Edhe nëse ne zgjedhim të qëndrojmë do të jenë Danimarka ose Holanda që do të votojnë për të dalë”, ka shtuar Farage. Shumica e liderëve të BE janë të mendimit se pas një Brexit jeta do të bëhej më e vështirë dhe më e pasigurtë. Por kjo duket që nuk ka fare rëndësi, përballë perspektivës marramendëse për t'ia treguar njëherë tamam vendin sistemit.