Rama pret “Kuqezinjtë” me batuta dhe një premtim
Pas Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Jashtme, Kombëtarja u prit në godinën e Qeverisë nga kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Rama tha se lojtarët në fushë dhe tifozët në shkallët e stadiumit dhe në rrugët e qyteteve franceze lanë pas imazhin e një Shqipërie europiane. Rama nuk kurseu as batutat kur u ndal tek Etrit Berisha për ta falenderuar për emocionet që na dha.“Falenderoj të gjithë, nga Berisha im më i dashur, e deri tek autori i golit”, tha ai. Kryeministri pati edhe një premtim për lojtarët, premtim që do të mbahet me përfundimin e stadiumit të ri kombëtar. “Do të ketë një pllakë me emrat tuaj ku do të shkruhet se ‘kjo arenë i dedikohet kombëtares kuqezi të euro 2016’”, u shpreh Rama. Kryeministri shtoi se të investosh për sportin do të thotë të investosh për shëndetin dhe kulturën, të investosh edhe për fuqizimin shpirtëror dhe ekonomik të një bashkësie dhe të një vendi. Pas Kryeministrisë, ekipi kombëtar u zhvendos tek Fan Zone për të festuar së bashku me tifozë në shesh. Ndërkohë, Shqipëria mori një tjetër vlerësim pozitiv. Kësaj radhe tabloidi britanik “Daily Mail” ka vënë notat për të gjitha kombëtaret pjesëmarrëse në Europian, bazuar në paraqitjet e tyre ne fazën e grupeve. Në Grupin A, pavarësisht eliminimit, Shqipëria ka marrë notën më të lartë, duke lënë mbrapa të gjithë rivalët e tjerë. Bazuar në sistemin britanik të vlerësimit, “Daily Mail” i ka dhënë Shqipërisë “B”, ndërkohë që grada më e lartë është “A+”. “Njëra nga dy ‘humbëset fatkeqe’ e cila u rendit në vendin e tretë por nuk kaloi në 16 më të mirat. Shqipëria performoi sipër pritshmërive edhe pse u eliminua. Një paraqitje impresive me 10 lojtarë në humbjen 1-0 ndaj Zvicrës, ndërsa mbajtën 0-0 Francën për 90 minuta dhe pastaj i jepen vetes një mundësi kualifikimi me fitoren e parë në një Europian. Një kompeticion i mirë dhe një nisje e mbarë e një projekti që premton vazhdimësi”, shkruan tabloidi britanik. Ndërkohë, pas kuqezinjve renditet Zvicra që “Daily Mail” e vlerëson me “B-”, pastaj Franca me “C+” si dhe Rumania me “D”.