BE i përfshirë nga ankthi pas daljes së Britanisë
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i19066-be_i_përfshirë_nga_ankthi_pas_daljes_së_britanisë
Qytetarët britanikë kanë bërë realitet atë që u konsiderua si skenari më i keq i mundshëm i referendumit nga zyrtarët e Bashkimit Europian, duke votuar pro daljes nga Bashkimi Europian.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Qershor 24, 2016 18:02 Europe/Tirane
  • BE i përfshirë nga ankthi pas daljes së Britanisë

Qytetarët britanikë kanë bërë realitet atë që u konsiderua si skenari më i keq i mundshëm i referendumit nga zyrtarët e Bashkimit Europian, duke votuar pro daljes nga Bashkimi Europian.

Me afro 52% të votave në favor të Brexit, të votuar më 23 qershor 2016, Mbretëria e Bashkuar do të duhet të hapë kapitujt e largimit nga blloku me 28 anëtarë, për ta lënë këtë të fundit me një pjesëtar më pak. Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, dha dorëheqjen. “Jo vetëm kemi një demokraci parlamentare por për sa i takon mënyrës së qeverisjes ka momente kur duhet pyetur vetë populli dhe kjo është ajo çfarë ne bëmë. Populli britanik votoi të largohet nga BE dhe vullneti i tyre duhet respektuar. Negociatat për daljen nga BE-ja duhet t’i fillojë një kryeministër i ri”, tha ai në një konferencë më gazetarë. Cameron ka deklaruar se do të mbajë postin e tij edhe për tre muaj, por vendin duhet ta udhëheqë një kryeministër i ri që do të zgjidhet në Konvetën e Konservatorëve në muajin tetor. Ndërkohë, efektet e para negative të daljes kanë filluar të ndihen ne sektorin ekonomik teksa monedha paund ka rënë në nivelin e saj më të ulët përballë dollarit që prej vitit 1985. Ndërkohë, eksperëtët kanë kërkuar që të marrë masa për të fuqizuar monedhën e cila humbi menjëherë 3% që prej shpalljes së rezultateve të para.Me këtë rezultat, mediat kanë deklaruar se ky është fundi i karrierës politike për David Cameron . Kështu, prestigjozja “The Indipented”, në një artikull të publikuar gjatë minutave të fundit, shkruan “Fitorja e Brexit nënkupton se Kryeministri e ka humbur bastin e tij dhe se duhet të largohet”. Megjithatë, konservatorët që ishin pro-largimit, Boris Johnson dhe Michael Gove, kanë firmosur një letër drejtuar kreut të ekzekutivit ku i kërkojnë që të qëndrojë pavarësisht rezultatit. Marrëdhënia e veçantë mes Londrës dhe shteteve të tjera tani do të kthehet në kufijtë e mbijetesës. Kjo ka qenë kryefjala e fjalimeve të krerëve ndërkombëtarë pas rezultatit të refendumit, por sigurisht ndër të parët që respektoi vendimin e popullit britanik ishte Presidenti Barack Obama. Nga ana tjetër, Vladimir Putin mohoi ndikimin e Rusisë ndaj britanikëve për të dalë nga BE.“Kjo është një zgjedhje e popullit të Britanisë së Madhe. Ne, në asnjë mënyrë nuk kemi ndërhyrë në këtë çështje, e po ashtu nuk kemi asnjë plan për të ndërhyrë”, tha Putin. Ndërsa për Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, ky është një “moment politik shumë serioz, madje dramatik”.“Nuk ka pse e fshehim faktin që dëshironim një tjetër rezultat të këtij referendumi. Jam plotësisht i ndërgjegjshëm se çfarë pasojash dramatike do të ketë ky zhvillim politikisht, por dua t’i siguroj të gjithë se jemi të përgatitur edhe për këtë skenar negativ. I kam kaluar dy ditët e fundit duke diskutuar me udhëheqës të BE-së mbi mundësinë e një ‘Brexit’-i”, tha Donald Tusk. Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker nuk i është përgjigjur pyetjes së një gazetareje në një konferencë për shtyp në Parlamentin Europian.“A është fillimi i fundit për Europën, pas fitores së “Brexit”?”, ka pyetur reporterja. Juncker ka reaguar duke falenderuar të pranishmit dhe duke braktisur sallën. Megjithatë, nga një lëvizje e buzëve të tij është interpretuar një përgjigje si “jo”. Në pikëpyetje është edhe vet mbijetesa e Britanisë. Një ministre skoceze tha se një referendum i dytë për pavarësi nga Britania është plotësisht i mundshëm. Nicola Sturgeon deklaroi se ishte “demokratikisht e papranueshme” që Skocia u përball me mundësinë për të dalë nga BE-ja kundër vullnetit të saj. Ajo tha se qeveria skoceze do të fillojë përgatitjen e legjislacionit për të mundësuar një tjetër votë pro pavarësisë.Skocia votoi në favor të qëndrimit në BE me 62% të votave, kundër 28% që ishin por daljes.“Është, pra, një deklaratë e qartë se një referendum i dytë duhet të jetë në tryezë, dhe ai është në tryezë”, tha me forcë ajo. Pra, referendumi i djeshëm jo vetëm ka tronditur BE-në, por pritet të shpërbëjë edhe Britaninë.