Putin kritikon ashpër NATO-n
Presidenti rus Vladimir Putin të enjten në një takim me diplomatë rusë, përveç se ka njoftuar për forcimin e pranisë së ushtarëve të NATO-s në lindje të Evropës, ka thënë se Moska nuk do të jetë e angazhuar në garën e armëve por NATO është në kërkim të një gjëje të këtillë
. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vlerësoi se mburoja raketore e Shteteve të Bashkuara në pjesën lindore të Evropës është rrezik i madh dhe shpreh përkushtim se Moska do të përgjigjet duke e forcuar kapacitetin e vet sulmues raketor. Ditë më parë, Presidenti rus Vladimir Putin u tha ligjvënësve rusë se Rusia duhet të mendoj për sigurinë e saj kur të konfrontohet me atë që ai e cilësoi si “aksione agresive të NATO-s afër kufijve të Rusisë. Putin ka theksuar se bota duhet të konfrontohet me terrorizmin ndërkombëtar duke krijuar atë që ai e përshkruajti si sistem të sigurisë përtej aleancave ekzistuese. Ai është shprehur se Rusia është “gati për dialog” në krijimin e një sistemi të tillë. Presidenti rus theksoi se “ne do të duhet të përgjigjemi” ndaj këtij kërcënimi, megjithëqë “e dimë se paraprakisht ne përsëri do të akuzohemi për sjellje agresive” kur Rusia përgjigjet. “Ne do ta perfeksionojmë kapacitetin tonë sulmues raketor për të siguruar se në Evropë po mbahet balanca strategjike”, tha Vladimir Putin. Para udhëheqësve të organizatave mediale ndërkombëtare, Putin theksoi se ka shqetësime se konfrontimi ushtarak në rritje ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, “po e tërheq botën në një dimension të ri”. Vërejtjet e Putinit vijnë pak para samitit të ardhshëm të NATO-s në Varshavë në fillim të korrikut ku si temë kryesore e rendit të ditës do të jetë "kërcënimet ruse". Të martën, Vladimir Komojedov, kreu i Komitetit të Mbrojtjes të Dumës ruse (dhoma e ulët e parlamentit) hodhi poshtë vërejtjet e bëra nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili akuzoi Moskën për shkelje të "aktit themelor NATO-Rusi." Komojedov tha se akuzat janë të pabaza, duke shtuar se në të vërtetë blloku ushtarak perëndimor ëshët ai që vazhdimisht po i ofrohet kufijve rusë. "Gjithkush e kupton se këto nuk janë pëllumba të paqes që fluturojnë për ne për tu ushqyer nga duart tona," tha ai. "Këta janë kafshë që po i lejove do të të sulmojnë ose kafshojnë", shtoi ai. NATO ka rritur strukturat e saj ushtarake pranë kufijve të Rusisë pasi pezulloi të gjitha lidhjet me Moskën në prill 2014, pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. Aleatët e saj evropianë dhe SHBA akuzojnë Moskën për destabilizimin e Ukrainës. Megjithatë, ka mosmarrëveshje brenda bllokut, ku ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ka kritikuar NATO-n se ka një politikë luftarake ndaj Rusisë, duke e përshkruar atë si "luftënxitëse". NATO njoftoi të hënën e kaluar se do të vendosë katër batalione në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni për të kundërshtuar një Rusi agresive, përpara samitit të rëndësishëm në Varshavë muajin e ardhshëm. Rusia ka thënë se do të krijojë tre divizione të reja në rajonin e saj në jugperëndim, për të përmbushur atë që e përshkruan si rrezik pranë ushtarak pranë kufijve të saj. Putin të mërkurën akuzoi Perëndimin për refuzimin e propozimeve të Rusisë për të ndihmuar në trajtimin e armikut të përbashkët të "terrorizmit ndërkombëtar."