Kërkesa e liderëve evropianë drejtuar kryeministres së re britanike rreth Brexit
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i21259-kërkesa_e_liderëve_evropianë_drejtuar_kryeministres_së_re_britanike_rreth_brexit
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Enda Kenny, kryeministër e Irlandës, kanë kërkuar nga Theresa May, kryeministre e re e Britanisë që sa më shpejtë të qartësojë marrëdhëniet e Britanisë me BE.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 13, 2016 15:41 Europe/Tirane
  • Kërkesa e liderëve evropianë drejtuar kryeministres së re britanike rreth Brexit

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Enda Kenny, kryeministër e Irlandës, kanë kërkuar nga Theresa May, kryeministre e re e Britanisë që sa më shpejtë të qartësojë marrëdhëniet e Britanisë me BE.

Ndërsa, Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk së fundi ka folur sërish për BREXIT duke shprehur gatishmërinë e BE-së që të vazhdojë marrëdhëniet e mira me Mbretërinë e Bashkuar edhe pas largimit zyrtar të këtij shteti. “Pas kësaj procedure të ashtuquajtur të divorcit, Mbretëria e Bashkuar do të mbesë partneri jonë më i afërt duke përfshirë këtu edhe në çështjet ndërkombëtare dhe marrëdhëniet tregtare me pjesët tjera të botës. Për këtë arsye ndikimi i referendumit për dalje të Britanisë nga BE-ja është shumë më i vogël kur janë në pyetje marrëdhëniet ndërkombëtare në krahasim me pritjet”, ka thënë Tusk gjatë konferencës së përbashkët me gazetarë në Pekin me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Cluade Juncker. Më 23 qershor, 52 % e britanikëve që kanë marrë pjesë në referendum kanë votuar pro daljes së vendit të tyre nga BE-ja. Tani i përket kryeministres së re britanike, Theresa May e cila do të fillojë punën sot, të paraqesë zyrtarisht kërkesen e vendit të saj për largim nga blloku evropian. Një peticion, i cili bën thirrje për një referendum të dytë, do të jetë pikë diskutimi në një nga seancat e ardhshme të Parlamentit britanik. Fushata “online”, e cila u publikua në faqen e qeverisë, shënoi një numër rekord pjesëmarrësish, ku afërsisht 4 milionë njerëz përkrahën idenë e mbajtjes së një referendumi të dytë. “Rezultati pro ‘Brexit’-it duket të ketë qenë shokues për mijëra britanikë, - shpjegon një nga nismëtarët e këtij peticioni. - Ndaj vendasit kërkojnë një mundësi të dytë për të shprehur vullnetin e tyre me votë”. Por vendimi i Komisionit të Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik për diskutimin e këtij peticioni nuk tregon qëndrim mbështetës ndaj tij. Një nga zëdhënësit u shpreh se, arsyeja kryesore që e shtyu Parlamentin drejt një vendimi të tillë është numri i madh i njerëzve që kanë kërkuar nga deputetët ta marrin në konsideratë kërkesën e tyre, por ai nënvizoi faktin se kjo nuk tregon mbështetje ndaj këtij peticioni. Prej fillimit të fushatës, kryeministri David Cameron u ka kërkuar zgjedhësve ta mendonin mirë votën e tyre më 23 qershor, duke ngulur këmbë se nuk do të ketë referendum të dytë. “Ky është një moment jetik për të ardhmen e vendit tonë dhe dua të jem i qartë se është një vendim përfundimtar. Janë hapur diskutime se mund të mbahet një referendum i dytë. Nuk mendoj se ndonjë që voton ‘dua të largohem nga BE’-ja, do të dëshirojë më pas të qëndrojë në BE”, tha David Cameron.