Ultimatumi i Merkel për Londrën
Deklaratat e fundit të Angela Merkel në lidhje me atë se nuk ka asnjë mundësi që Britania të mbetet në BE, janë duke u shqyrtuar.
Gjermania përjashton kategorikisht mundësinë e negociatave jozyrtare me Britaninë përpara fillimit të procesit të shkëputjes. Londrës do t’i lihet mjaftueshëm kohë në dispozicion, por nuk duhet të ketë bllokime, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert. “Një gjë duhet të jetë e qartë, - shtoi ai. - Përpara se Britania të dërgojë kërkesën sipas artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës e Këshilli Europian të hartojë udhërrëfyesit për një marrëveshje daljeje, nuk do të ketë bisedime paraprake mbi modalitetet e largimit. Kampi kundër qëndrimit në BE tani thotë se nuk ka asnjë nxitim për shkëputjen nga blloku europian, ndërsa Franca dhe Gjermania këmbëngulin për një marrëveshje të plotë mbi “Brexit”-in, çfarë nënkupton sipas ministrit francez të Financave, Michel Sapin, se Londra “duhet të ikë sa më parë”. Merkel theksoi se vrazhdësia kundrejt vendeve që largohen nga Unioni nuk duhet të jetë prioritet në bisedime. Deklaratat e kancelares erdhën pasi ministrat e jashtëm të 6 vendeve që themeluan BE-në u takuan dhe i bënë thirrje Londrës që të implementojë me shpejtësi daljen. Ajo shtoi se, nuk është në favor të nxitjes së një tërheqjeje të shpejtë të Mbretërisë së Bashkuar. “Negociatat nuk duhet të zgjasin përgjithmonë, jam dakord, por nuk do të luftoja për një rrugë të shkurtër. Do të përpiqesha për një klimë objektive dhe pozitive në bisedimet me Britaninë, të cilat duhet të zhvillohen qetësisht”, tha Merkel. Kryeministrja e re britanike e telefonoi në mbrëmje kancelaren gjermane dhe presidentit francez për t’i shprehur edhe një herë angazhimin e saj për plotësimin e vullnetit të popullit britanik, njoftoi zëdhënësi i shefes së Ekzekutivit në Londër, duke shtuar se ajo shpjegoi njëkohësisht se do te duhet kohë për përgatitjen e këtyre negociatave dhe se shpreson që bisedimet të zhvillohen në një frymë pozitive e konstruktive. Philip Hammond, i porsaemëruar sekretar Thesari në vend të George Osborne, pohoi sot se vendit nuk i nevojitet një buxhet emergjence dhe se përpara përcaktimit të objektivave të shpenzimeve në vjeshtë, do të monitorojë me kujdes situatën ekonomike të vendit përgjatë periudhës së verës. Takimi i parë në axhendën e tij për këtë qëllim është ai me guvernatorin e Bankës së Anglisë. Shumë britanikë e përshëndetën zgjedhjen e kryeministres së re.