Tërheqja e Britanisë nga presidenca e radhës e BE
https://parstoday.ir/sq/news/uncategorised-i22198-tërheqja_e_britanisë_nga_presidenca_e_radhës_e_be
Theresa May, kryeministre e Britanisë në një bisedë telefonike me Donald Tusk, presidenti i KE, ka njoftuar se vendi i saj heq dorë nga periudha gjashtë mujore e udhëheqjes së BE në vitin 2017.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Korrik 20, 2016 15:09 Europe/Tirane
  • Tërheqja e Britanisë nga presidenca e radhës e BE

Theresa May, kryeministre e Britanisë në një bisedë telefonike me Donald Tusk, presidenti i KE, ka njoftuar se vendi i saj heq dorë nga periudha gjashtë mujore e udhëheqjes së BE në vitin 2017.

Kryeministrja britanike me këtë rast ka thënë se Britania në atë kohë do të jetë shumë e zënë me procesin e  negociatave për daljen nga BE. Theresa May e cila mori postin e kryeministres së Britanisë pas referendumit për daljen e Britanisë nga BE dhe pas dorëheqjes së David Cameron, sot ka zhvilluar udhëtimin e saj të  parë në Gjermani ndërsa nesër do të shkojë ën Francë. Tema kryesore e bisedimeve të kryeministres së re të Britanisë në këto takime do të jetë dalja e Britaninë nga BE.  Përpara këtij takimi, kryeministrja May do të përballet edhe me pyetjet e para si kryetare e ekzekutivit britanik. Ajo pritet të ketë një debat të ashpër me udhëheqësin laburist, Jeremy Corbyn, në Dhomën e Përfaqësuesve vetëm pak pas mesditës, në atë që do të jetë edhe mbledhja e fundit e Parlamentit britanik përpara nisjes së pushimeve verore ditën e enjte. May gjithsesi ka folur në telefon si me Kancelaren Merkel, ashtu dhe me Presidentin Hollande, por takimet e para “kokë më kokë” në dy ditët e ardhshme mes tyre shihen si tepër të rëndësishme në përcaktimin e tonit të bisedimeve për negociatat e gjata dhe të vështira mbi daljen e Britanisë nga BE-ja, një sfidë tepër e rëndësishme përpara. Kryeministrja ka thënë se nuk pret të fillojë negociatat zyrtare përpara fundit të këtij viti, pasi do t’i duhet të zhvillojë konsulta me qeveritë e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut, sikurse edhe me biznesin, industrinë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm mbi rrugën që duhet ndjekur. E teksa udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës janë shprehur se vota e britanikëve për largim duhet respektuar dhe se Britanisë duhet t’i jepet kohë për të formuluar strategjinë e negociatave, të dy ata do të përballen me zgjedhjet e përgjithshme në vendet e tyre respektive gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që janë nën presion të brendshëm politik për të përmbushur një akord të vështirë. Ata kanë sugjeruar se nuk mund të bëhen përjashtime për Britaninë në lidhje me kushtet e aksesit të vazhdueshëm në tregun e përbashkët të BE-së, nëse - ashtu siç ka këmbëngulur May, - Britania e distancon vetveten nga rregullat e lirisë së lëvizjes. Përpara vizitës, “Downing Street” bëri të ditur se Theresa May do të nënvizojë rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve tepër të forta personale me homologët e saj europianë dhe do të theksojë vlerat që janë vendosur në themel të marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe ato të sigurisë me dy vendet në fjalë, por edhe angazhimin e saj për të vijuar lidhjet e forta jashtë BE-së. “Këto vizita do të jenë një mundësi për të krijuar një marrëdhënie të fortë pune, e që unë shpresoj të zhvillohet me të tjerë udhëheqës anembanë Bashkimit Europian në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ajo. “Nuk dua në nënvlerësoj sfidën e negociimit të daljes sonë nga BE-ja, por besoj me vendosmëri se të qenit në gjendje për të zhvilluar bisedime të sinqerta dhe të hapura mbi çështjet me të cilat përballemi, do të jetë një pjesë e rëndësishme e negociatave të suksesshme”. Qeveria gjermane ka bërë të ditur se dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu edhe për krizën e refugjatëve në Europë, si dhe situatën politike në Turqi pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti gjatë së premtes së kaluar. Merkel ka qenë një aleate e fuqishme e përpjekjes pa sukses të David Cameron për të rinegociuar anëtarësimin e Britanisë së Madhe, si pjesë e synimit të tij për të qëndruar në një “Europë të reformuar”, megjithëse mbështetja franceze për përpjekjet e ish-kryeministrit për të siguruar një status special për vendin ishullor në BE ishte tepër e vakët.