Speciale për 20 Farvardinin, ditën kombëtare të teknologjisë atomike
Data 20 Farvardin/9 Prill në kalendarin e Iranit ka shënuar një kthesë në fushën e sukseseve shkencore. Republika Islamike e Iranit në këtë ditë historike, ka festuar suksesin e saj të madh në fushën e shkencës dhe teknologjisë atomike për qëllime paqësore dhe i deklaroi botës se një popull nëse dëshiron të kalojë rrugën e zhvillimit, do të ketë sukses.
Më 20 farvardin që përkon me 20 prill 2007, u përurua gjenerata e re e centrifugave në objektet bërthamore të Natanzit. Ky sukses ishte hyrje e Iranit në fazën industriale për pasurimin e uraniumit. Kjo industri sot është nevojë e shumë vendeve të botës, mirëpo edhe kjo shkencë e teknologji, praktikisht ashtu si shumë teknologji të tjera, është në monopol të disa vendeve të caktuara.
Ky sukses u bë një përgatitje për të marrë hapa të tjerë në fushën e shkencës dhe të teknologjisë atomike dhe në vitin 2009 shkencëtarët iranianë të energjisë atomike arritën të prodhojnë lëndën djegëse atomike dhe të përgatisin atë për tu shfrytëzuar në reaktorët për të prodhuar energji. Në vitin 2010, Irani në mënyrë zyrtare deklaroi se ka shtuar prodhimin e "kekut të verdhë" deri në nivel për të plotësuar nevojat e veta. Në vazhdim të këtij suksesi, shkencëtarët atomikë të Iranit arritën të prodhojnë lëndën djegëse me 20% pasurim të uraniumit. Në vitin 2012, u përuruan gjashtë suksese të mëdha në fushën e energjisë atomike në Iran, si prodhimi i dioksidit të uraniumit natyral të pastër atomik si lëndë djegëse për reaktorin e ujit të rëndë në Arak dhe një produkt i ri i radiomedikamenteve. Duke shfrytëzuar këtë shkencë, deri më tani Irani ka prodhuar produkte të ndryshme të radiomedikamenteve që përdorën për kurimin e sëmundjeve të rënda dhe për caktimin e diagnozave. Shumë sëmundje të rënda mund të diagnostikohen dhe të kurohen me radiomedikamente.
Padyshim se nuk ishte punë e lehtë të kalohen këto kufizime shkencore. Republika Islamike e Iranit menjëherë pas deklarimit të këtij suksesi të madh në fushën e zhvillimit të ciklit të plotë për pasurimin e uraniumit, u bë objektiv e akuzave të padrejta në kohën kur në bazë të traktatit NPT, shfrytëzimi i teknologjisë atomike nën mbikëqyrjen e ANEA, është e drejtë ligjore. Republika Islamike e Iranit gjithashtu si një vend anëtar i ANEA dhe që është zotuar për respektimin e rregullave të ANEA dhe të traktatit NPT, duhet të gëzojë këto të drejta. Mirëpo përgjigja e fuqive të mëdha që më forcë ushtrojnë politikat e tyre, për këtë kërkesë të Republikës Islamike të Iranit ishte "JO" në mënyrë që Irani të mos mund të shfrytëzojë këto të drejta ligjore. Kjo është në kohën kur në bazë të traktatit NPT, vendet që posedojnë teknologjinë bërthamore janë të zotuara që të ndihmojnë vendet e tjera të botës në zhvillimin e kësaj teknologjie. Mirëpo ajo çfarë i dhanë këto vende Iranit, ishin sanksionet për më shumë se dhjetë vjet.
Amerika për të sabotuar rrugën e zhvillimit të Iranit në fushën e shkencës dhe të teknologjisë atomike, përveç veprimeve të njëanshme, i detyrojë shumicën e vendeve për zbatimin e sanksioneve dhe për shtimin e presioneve ndaj Iranit dhe nëpërmjet kësaj politike ka bërë sabotime të mëdha në rrugën e zhvillimit të Iranit dhe ka miratuar rezoluta të ndryshme kundër Iranit në KS të OKB. Këshilli i Guvernatorëve të ANEA-s nën presionin e Amerikës më 8 mars 2006, dosjen atomike të Iranit e dërgoi në Këshillin e Sigurimit të OKB dhe që nga viti 2006, janë miratuar 6 rezoluta kundër Iranit. Këshilli i Sigurimit i OKB në rezolutat e tij të cilat janë miratuar në kuadër të kapitullit të shtatë të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e prezantoi programin atomik të Iranit si një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe e shpalli të ndaluar.
Amerika dhe disa vende evropiane përgjatë shumë viteve duke krijuar polemika dhe spekulime të ndryshme, janë munduar ta prezantojnë programin atomik të Iranit si një kërcënim. Sipas skenarëve të perëndimit, qëllimi i tyre ishte shkatërrimi i plotë i objekteve bërthamore, mirëpo më në fund kjo dosje u mbyll në kuadër të marrëveshjes bërthamore dhe në bazë të kësaj marrëveshje, Irani arriti të drejtat e tij të plota atomike.
Ekipi negociator i Iranit në negociatat bërthamore pas gati dy viteve negociatash me pesë vendet anëtare të përhershme të KS të OKB plus Gjermaninë (G-5+1), arriti marrëveshjen bërthamore. Me këtë marrëveshje u realizuan objektiva të ndryshme si ruajtja e potencialit dhe teknologjisë atomike të Iranit, anulimi i rezolutave të KS të OKB dhe heqja e dosjes atomike të Iranit nga kapitulli i 7-të i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit gjithashtu me miratimin e një rezolute të re, programin atomik dhe pasurimin e uraniumit në Iran e njohu zyrtarisht si një program të ligjshëm dhe si e drejtë e ligjshme e Iranit. Aktualisht Irani në sferën e zhvillimit të energjisë atomike paqësore, ka të drejtën e tij dhe mund të prezantojë zhvillimin e vetë.
Irani aktualisht si një prodhues i produkteve atomike, sidomos të dy produkteve strategjike "uraniumi i pasuruar" dhe "uji i rëndë", në mënyrë zyrtare ka hyrë në tregjet botërore. Cilësia e ujit të rëndë të prodhuar në Iran me një pastërti 99.95% është konfirmuar në laboratorët më të mirë të botës dhe Irani sa i përket cilësisë së prodhimit të ujit të rëndë, është ne mesin e pak vendeve të botës që prodhojnë këtë produkt atomik me cilësinë më të lartë. Aktualisht përveç Rusisë dhe Amerikës, edhe kompanitë e mëdha evropiane janë blerës të ujit të rëndë të Iranit. Republika Islamike e Iranit në bazë të marrëveshjes bërthamore, është zotuar që pjesën shtesë të ujit të rëndë, do të thotë mbi 130 tonë, ta ofrojë në tregjet botërore për shitje. Ali Akbar Salehi, kryetari i Agjencisë për Energji Atomike të Iranit, vitin e kaluar ka marrë pjesë në takimin treditor të "Shoqatës Botërore Atomike" që u zhvillua në Londër, kryeqytetin e Anglisë, ku ka dhënë propozimin për bashkëpunimin e dy universiteteve të Iranit me universitetin virtual të Shoqatës Botërore Atomike dhe ky propozim është pranuar nga kjo shoqatë. Propozimet dhe bisedimet e kryetarit të Agjencisë për Energji Atomike të Iranit në takimin e Shoqatës Botërore Atomike në Londër treguan se Irani ndodhet në prag të një zhvillimi të madh dhe qëllim i këtij zhvillimi, është bashkëpunimi me institucionet aktive në shkencën dhe teknologjinë atomike.
Pjesëmarrja e Iranit në planet e zhvillimit si shkrirja atomike dhe bashkëpunimi i Agjencisë për Energji Atomike të Iranit me Shoqatën Botërore Atomike, konsiderohet indeksi i shkencës dhe teknologjisë atomike në Iran në nivel botëror. Plani ndërkombëtar për shkrirje atomike "ITER", është një projekt shkencor për prodhimin e energjive moderne në të cilin marrin pjesë 27 vendet evropiane, Amerika, Kina, India, Koreja Jugore dhe Japonia. Ky projekt në 30-40 vitet e ardhshme do të arrijë në fazën e tregtisë dhe Irani qysh tani ka filluar të investojë në këtë projekt.
Irani shkencën atomike e ka shfrytëzuar shumë mirë në sektorë të ndryshëm si në shëndetësi dhe në prodhimin e radiomedikamentëve dhe eksperiencat e tij mund t'i transferojë tek vendet e tjera në kuadër të bashkëpunimeve ligjore dhe sipas normave. Zhvillimi i mjekësisë atomike si ndërtimi i një qendre rajonale supermoderne të mjekësisë atomike, shfrytëzimi i teknologjisë Laser për përdorime mjekësore, konsiderohen hapa të Iranit në kuadër të shfrytëzimit të teknologjive botërore në fushën e mjekësisë në bazë të energjisë atomike.
Progresi atomik i Iranit në sektorin e hulumtimit dhe zhvillimit, programi për ndërtimin e centraleve të reja atomike dhe vazhdimi i projektit gjithëpërfshirës të zbulimeve si zbulimet ajrore dhe tokësore, si dhe identifikimi i burimeve të reja për sigurimin e uraniumit, janë veprimet e tjera që ka bërë Agjencia për Energji Atomike e Iranit. Irani gjithashtu ka arritur të sigurojë edhe centrifugat e duhura në sektorin e shëndetësisë për prodhimin e vaksinave dhe të medikamenteve me përbërje të re. Një projekt tjetër që është duke u zhvilluar në këtë drejtim, është edhe projekti për ndërtimin e spitalit më të madh atomik në Lindjen e Mesme në Iran. Sipas Ali Akbar Salehi, Irani në fushën e prodhimit të izotopeve të qëndrueshme, është duke bashkëpunuar me palën ruse.
Prandaj dita kombëtare e teknologjisë atomike dhe shënimi i saj në kalendarin zyrtar të Iranit, është simbol i përpjekjeve dhe vetëbesimit të ekspertëve të Iranit në industrinë atomike. Populli i Iranit në këtë mënyrë tregoi se me vullnet të vendosur dhe të drejtë, mund të arrihen edhe majat më të larta të zhvillimit në shkencë dhe teknologji.