Tetor 17, 2017 04:30 Europe/Tirane
  • Pse Amerika dhe Izraeli u larguan nga UNESCO?

Që nga viti 2011, kur UNESCO e pranoi Palestinën si një anëtar të plotë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe regjimi sionist e kanë kritikuar ashpër këtë organizatë dhe kulmi i këtyre kritikave erdhi kur ata u larguan së bashku me një qëllim të përbashkët nga UNESCO.

 

Shtetet e Bashkuara njoftuan të enjten e kaluar se do të tërhiqet nga Organizata Arsimore, Shkencore dhe Kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, për të mbështetur regjimin okupator të Kodsit. Ky veprim do të merret nga Uashingtoni më 31 dhjetor 2017. Shtetet e Bashkuara tashmë kanë shkurtuar fondet për UNESCO-n (në vitin 2011), pasi Palestina u pranua si anëtar i kësaj organizate. Në një deklaratë, kryeministri sionist Benjamin Netanjahu e përshkroi largimin e Shteteve të Bashkuara nga UNESCO si një vendim të guximshëm dhe theksoi se edhe Izraeli do të largohet nga organizata UNESCO, njësoj si Shtetet e Bashkuara. Regjimi sionist e ka quajtur këtë veprim të Amerikës si  Dhjata e Re. Kjo është qeveria e dytë amerikane që vendos të ndërmarrë një veprim të tillë. Më parë qeveria e Ronald Reagan u largua nga organizata UNESCO në vitet 1980 dhe Shtetet e Bashkuara iu bashkuan organizatës pas dy dekadash nën administrimin e Xhorxh W. Bush.

 

Gjendja e qytetit të Kodsit dhe e kompleksit të shenjtë të xhamisë Al-Aksa ka qenë në qendër të konfliktit për shumë vite. Kombet e Bashkuara i konsiderojnë këto zona të pushtuara dhe kërkojnë që regjimi sionist të kthehet në kufijtë e luftës gjashtë-ditore të vitit 1967. Nga njëra anë, regjimi sionist dëshiron që Kodsi të njihet si kryeqyteti i shtetit hebre dhe palestinezët gjithashtu po kërkojnë Kodsin Lindor dhe ta regjistrojnë atë si kryeqytetin e tyre. Në tetor 2016, UNESCO organizoi një votim mes anëtarëve të saj për xhaminë Al-Aksa dhe Murin e Vajtimit, dhe sipas këtij votimi u deklarua se Xhamia Al-Aksa nuk ishte në pronësi të hebrenjve. Në këtë votim, 58 vende anëtare të UNESCO-s votuan në favor të këtij vendimi. Televizioni sionist në atë kohë pretendonte se miratimi i vendimit të UNESCO-s nga Kombet e Bashkuara do të pengonte paqen midis palestinezëve dhe izraelitëve. Më vonë, UNESCO ka deklaruar në një rezolutë më 4 korrik se Izraeli nuk ka asnjë pronësi mbi Kodsin e Shenjtë. Duke miratuar një rezolutë, UNESCO dënoi regjimin sionist si shkelës të rezolutave ndërkombëtare mbi  Kodsin dhe Rripin e Gazës dhe e cilësoi Izraelin si një forcë pushtuese. Rezoluta i bëri thirrje regjimit sionist për të rivendosur kontrollin e xhamisë Al-Aksa në situatën e para vitit 2000, kur të gjitha çështjet e saj drejtoheshin nga Zyra e Vakëfeve të Jordanisë. Rezoluta në nenin 8 të saj thotë se UNESCO dënon ashpër agresionin në rritje të Izraelit dhe kufizimet e paligjshme kundër Zyrës së Vakëfeve dhe stafit të saj si dhe kundër lirisë së besimit dhe qasjes së muslimanëve në vendet e tyre të shenjta si xhamia Al-Aksa. Neni 9 i rezolutës përcakton përgjegjësinë e sulmeve të sionistëve radikalë dhe bën përgjegjës forcat izraelite të sigurisë për këto sulme ndaj xhamisë Al-Aksa, ndërsa në paragrafin 10, dënohet agresioni i vazhdueshëm izraelit dhe dhunimi i objekteve historike, kulturore dhe fetare, shkelja e të drejtave më elementare të qytetarëve palestinezë, dhe arrestimi dhe plagosja e myslimanëve që marrin pjesë në ritualet fetare në vendet e shenjta islame. Në këtë rezolutë janë dënuar në mënyrë eksplicite ndërtimet e kolonive të reja sioniste, krijimi i rrugëve të veçanta për kolonët sionistë  dhe ndërtimi i murit ndarës në pjesën e vjetër të qytetit al-Khalil. Rezoluta e UNESCO-s theksoi gjithashtu nevojën për të ndaluar dhunën e organizuar dhe provokative të kolonëve sionistë dhe grupeve të tjera ekstremiste kundër palestinezëve, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe studentëve të Palestinës, në kuadër të deklaratave dhe rezolutave të tjera të UNESCO-s. UNESCO gjithashtu kritikoi ashpër refuzimin e regjimit sionist për të zbatuar rezolutat e mëparshme të UNESCO-s për heqjen e dy objekteve palestineze nga Lista e Trashëgimisë Kombëtare të Hebrenjve, duke kërkuar përsëri zbatimin e rezolutave të mëparshme të UNESCO-s nga regjimi sionist.

 

Në muajin korrik, kanali 10 i televizionit izraelit zbuloi qëllimin e Donald Trump, president i Shteteve të Bashkuara, për të ushtruar presion mbi vendet anëtare të UNESCO-s. Rrjeti televiziv izraelit njoftoi se Donald Trump po i shtyn vendet anëtare të UNESCO-s të heqin vendimin që nuk e konsideron xhaminë Al-Aksa si një pjesë e vendeve të shenjta hebraike. Kanali 10 i televizionit izraelit raportoi se sipas burimeve në Uashington, këto presione  po bëhen për shkak se Kombet e Bashkuara synojnë të hedhin në votim vendimin e UNESCO-s në lidhje me xhaminë Al-Aksa, duke kërkuar që regjimi sionist t'i përmbahet rezolutës së UNESCO-s. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara me presionet e tyre duan të parandalojnë votimin e kësaj rezolute në Kombet e Bashkuara. Komentatori i këtij rrjeti televiziv shtoi: “Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara në vendet anëtare të UNESCO-s po punojnë në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit për të parandaluar vendet ku janë akredituar, që të votojnë kundër Izraelit”. Pas miratimit të kësaj rezolute të UNESCO-s, regjimi sionist bëri një numër përpjekjesh për ta shfuqizuar atë, njëra prej të cilave ishte ndërprerja e ndihmës financiare për UNESCO-n dhe OKB-në. Regjimi sionist e uli buxhetin e OKB-së nga 11 milionë dollarë në 3,7 milionë dollarë. Natyrisht, që nga dhjetori 2016, regjimi sionist ka shkurtuar 9 milionë dollarë nga kontributi i tij financiar në Kombet e Bashkuara. Miratimi i rezolutës së Këshillit të të Drejtave të Njeriut  të OKB kundër regjimit sionist gjithashtu reduktoi 2 milionë dollarë nga ndihma e Tel Avivit për Kombet e Bashkuara.

 

Është interesante të dihet se atëherë Benjamin Netanjahu  kreu përdorimin e mjeteve mashtruese. Netanjahu, kryeministri i regjimit sionist, deklaroi se kishte paraqitur një hartë për UNESCO-n, e cila katër vjet më parë iu konfiskua një grabitësi të monumenteve historike. Duke përdorur këtë hartë, ai kishte për qëllim të protestonte ndaj rezolutës së Organizatës Arsimore, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) që hodhi poshtë çdo marrëdhënie historike dhe fetare çifute me xhaminë Al-Aksa dhe Kodsin e Shenjtë. Ai pretendoi se fjala në hartë tregon marrëdhënien mes hebrenjve dhe Kodsit dhe xhamisë Al-Aksa, por arkeologët dhe specialistët e hodhën poshtë origjinalitetin e hartës që kryeministri sionist kishte zbuluar si dokument historik i lidhjes së hebrenjve me Kodsin e Shenjtë. Sipas Qendrës Palestineze për Informim, arkeologët kanë shprehur dyshime rreth origjinalitetit të hartës në të cilën shfaqet fjala "Jerusalem" (Kods). Me padurimin për arritjen e qëllimit të këtij mashtrimi, autoritetet sioniste kanë arritur të mbështeten në bestytni dhe kanë  përmendur një frazë të çuditshme. Ejub Gara, një anëtar i partisë Likud dhe një anëtar i Knesset (parlamenti sionist), pohoi se ratifikimi i rezolutës anti-izraelite nga UNESCO dhe mohimi i lidhjes së hebrenjve me Jeruzalemin ishin shkaku i tërmetit në Itali. Gjatë vizitës së tij në Vatikan, ai theksoi se tërmeti në Itali ishte për shkak të miratimit të rezolutës së UNESCO-s dhe se përmbajtja e saj duhet të ndryshohet.

 

Pas miratimit të rezolutës, Sekretarja e Përgjithshme e UNESCO-s theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, fetare dhe historike të qytetit të Kodsit. Irina Bokova në një deklaratë tha: “Siç e përmenda në raste të ndryshme dhe në sesionin e 40-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Jeruzalemi është qyteti i shenjtë i tre feve monoteiste të judaizmit, krishterimit dhe islamit dhe për të nderuar  këtë larmi të jashtëzakonshme kulturore dhe fetare, ky qytet është regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”. Ajo shtoi: “Trashëgimia e Jeruzalemit është e pandashme, dhe secili nga komunitetet që jetojnë në të ka të drejtën të njohë historinë e tij dhe marrëdhëniet e tij me këtë qytet. Mohimi, heqja dhe çrrënjosja e ndonjë prej traditave të lidhura me judaizmin, krishterimin dhe Islamin do të shkatërrojë integritetin e këtij qyteti”. Sekretarja e Përgjithshme e UNESCO-s ka deklaruar: "Vlera globale dhe rëndësia e qytetit si dhe arsyeja për përfshirjen e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë arsye për dialog dhe jo për t'u përballur me njëri-tjetrin. Detyra jonë kolektive është të forcojmë këtë simbiozë kulturore dhe fetare me fuqinë e ligjit dhe me fuqinë e fjalëve dhe tani më shumë se kurrë ndihet nevoja për të bërë të mundur dallimin midis faktorëve që kërcënojnë karakterin multifetar të këtij qyteti historik.

Sajti Spiegel online shkroi të premten në një artikull se Trump sapo ka arritur në fund të mosmarrëveshjeve dhe po tregon mosangazhimin e tij ndaj ligjeve ndërkombëtare dhe vendosmërinë e tij për të izoluar Amerikën, megjithë pasojat negative të këtij veprimi. Shtetet e Bashkuara, deri në vitin 2011, kur nuk ishin rritur ende mosmarrëveshjet me UNESCO-n  në lidhje me palestinezët, ka siguruar 22 për qind të fondeve të saj. UNESCO ka thënë se që nga koha kur Shtetet e Bashkuara nuk e kanë paguar kontributin e tyre, borxhet amerikane ndaj këtij institucioni deri më tani kanë arritur më shumë se 500 milionë dollarë. Gazeta online RBK e Rusisë, gjithashtu në një raport analitik, shkroi se Shtetet e Bashkuara do të largohen nga Organizata Arsimore, Shkencore Kulturore e UNESCO-s dhe pothuajse po pranojnë se vendimi vjen nga hezitimi për të shlyer borxhet e tyre ndaj këtij organizmi të Kombeve të Bashkuara. Arsyeja e dytë për këtë vendim është fakti se askush në Organizatën e UNESCO-s nuk e do vërtet Izraelin. Pikërisht për këtë arsye, pas njoftimit të Uashingtonit, edhe Tel Avivi e la organizatën shpejt pas SHBA. Sipas Maksim Suchekov, ekspert i Këshillit për Çështjet Ndërkombëtare të Rusisë, vendimi i Uashingtonit për t'u tërhequr nga UNESCO jo vetëm që ka implikime financiare, por është gjithashtu një masë politike për të mbështetur logjikën e Donald Trump në OKB, e cila sipas tij, injoron angazhimet e SHBA ndaj organizatave ndërkombëtare. Sipas tij, largimi i Shteteve të Bashkuara nga UNESCO do të ishte një humbje e kredibilitetit të SHBA.

 

Tags