U takuan me Erdogan, gozhdohen Ozil dhe Gundogan
Përpara Kupës Botërore të Futbollit, yjet turke të ekipit gjerman, Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan, u përballën me një rrebesh kritikash nga mediat, politikanët dhe rrjetet sociale që i akuzuan ata se po ndihmojnë "fushatën e zgjedhore" të presidentit turk.
Lojtarët kryesorë të futbollit gjerman me origjinë turke, Mesut Özil dhe Ilkay Gündogan, janë kritikuar nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB) për pritjen e tyre të ngrohtë që i bënë Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Londër. "Sigurisht që DFB respekton situatën e veçantë të lojtarëve me prejardhje nga emigrantët, por futbolli dhe DFB qëndrojnë për vlerat që nuk respektohen në mënyrë të mjaftueshme nga z. Erdogan, prandaj nuk është mirë që lojtarët tanë të lejohen të keqpërdoren për fushatën e tij zgjedhore", thuhet në deklaratën e presidentit të DFB, Reinhard Grindel. Zëvendëskryetari i Parlamentit gjerman, Hans-Peter Friedrich, tha: "Është e çuditshme që futbollistët gjermanë po lejohen të përdoren në fushatën zgjedhore të një presidenti turk, i cili kohët e fundit ka bërë disa akuza të pavërteta për Gjermaninë". Përdoruesit e rrjetit social Twitter ishin gjithashtu të inatosur me veprimin e futbollistëve. Disa madje kërkuan dëbimin e lojtarëve nga ekipi kombëtar gjerman. Gündogan mbrojti veten dhe Özilin me një deklaratë, duke shpjeguar se ata u takuan me Erdogan në një fondacion turk që u ndihmon nxënësve turq. Duke e quajtur takimin "një gjest mirësjelljeje dhe respekti për zyrën e presidentit dhe për rrënjët tona turke", ai pyeti retorikisht: "A duhet të jemi të pasjellshëm ndaj presidentit të atdheut të familjeve tona?"